PD shkon në zgjedhje, Votimet për kryetari i ri në 23 maj, Kuvendi në 6 qershor

Nga Anesti Barjamemaj
16 Mars 2026, 18:40 | Politikë

Më shumë se një vit nga humbja e zgjedhjeve në 11 maj, demokratët do t’u drejtohen kutive të votimit, këtë herë për të zgjedhur kryetarin. Kryesia e Partisë Demokratike, e mbledhur këtë të hënë, mori vendimin që zgjedhja e kryetarit të ri të bëhet në 23 maj.

Para zgjedhjes së kryetarit, demokratët do t’u drejtohen kutive të votimit edhe për të zgjedhur drejtuesit në më shumë se 50 degë. Sipas Kryesisë, drejtuesit e degëve do të zgjidhen në 30 prill.

Pas zgjedhjes së drejtuesve të degëve dhe të kryetarit, demokratët do të votojnë edhe për Kuvendin e ri Kombëtar, që më pas do t’i hapë rrugë formimit të kupolës së re drejtuese.

Paralelisht me procesin zgjedhor në parti, Kryesia ka vendosur edhe ngritjen e një grupi pune për rishikimin e statutit.

Grupi për Rishikimin e Statutit

Gazment Bardhi – Kryetar
Oerd Bylykbashi – Anëtar
Ivi Kaso – Anëtar
Gent Strazimiri – Anëtar
Enno Bozdo – Anëtar
Elda Hoti – Anëtar
Keltis Kruja – Anëtar
Adriana Kalaja – Anëtar
Marash Logu – Anëtar
Franc Nuri – Anëtar
Neni më i debatuar që pritet të ketë ndryshim është i ashtuquajturi Neni Basha, që detyron kryetarin e partisë që të japë dorëheqjen dhe të mos rikandidojë në rast të humbjes së zgjedhjeve.

NENI 46, PIKA 8 I STATUTIT TË PD – Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.

Lidhur me këto vendime të Kryesisë, ka dalë kundër ish-deputeti Ervin Salianji. Në këtë takim mungoi, por qëndrimin e dha në mediat sociale duke pohuar se është kundër ndryshimit të nenit 46 të statutit.

 “Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e partisë dhe në Statut. Neni 46 është i qartë dhe i sanksionuar. Çdo veprim që imiton modelin e Ramës nuk është zgjidhje, por uzurpim. Dhe çdo uzurpim i tillë i bën autorët e tij përgjegjës përpara opozitarëve dhe përpara shoqërisë. Sot po shohim të njëjtën logjikë që kemi denoncuar tek qeveria: uzurpim të rregullave, shkatërrim të degëve, përjashtim të demokratëve, sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve dhe jo një parti e ndërtuar mbi vullnetin e demokratëve.”,tha Salianji. 

Nga ana tjetër, Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që të ngrejë edhe një grup pune për digjitalizimin e partisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos