Nga dritarja e banesës së tij, ku qëndron prej 30 dhjetorit në arrest shtëpie, Sali Berisha reagoi dhe për përjashtimin nga punimet e Kuvendit të 19 deputetëve të opozitës të cilët shkaktuan incidentet gjatë javës së fundit në komisione, por edhe në seanca.
Ish-kryeministri e cilësoi vendimin të turpshëm dhe një akt diktatoria frike që kërkon të shuajë zërin opozitar.
“Sot, parlamenti Rama-Linda, parlamenti i turpit që nuk ka ekzistuar kurrë që nga koha e diktaturës, përjashtoi në një akt turpi, në një akt të mirëfilltë diktatorial, në një akt të vërtetë frike, 19 deputetë, përfaqësues të popullit opozitar, përfaqësues tuaj, vetëm e vetëm se ata po qëndrojnë siç po qëndroni ju këtu në emër të të vërtetës.
Po qëndrojnë në një betejë me të cilën duan të sjellin para jush në dritën e diellit, të gjitha krimet e shëmtuara, vjedhjet monstruoze të Edi Ramës.
Po qëndrojnë në mbrojtje të të drejtave të tyre kushtetuese, që janë edhe të drejtat tuaja.
Sot, Linda e parlamentit, një turp i gatshëm për të shkatërruar Shqipërinë për Edi Ramën, zbatoi urdhrin e padronit të saj Edi Rama dhe përjashtoi njësoj si të ishte Bjellorusia e Lukashenkos, edhe aty nuk ndodh kjo, 19 deputetë, përfaqësues të popullit opozitar.
Ky është një akt, një provokacion i rëndë për çdo qytetar që i beson pluralizmit.
Atyre që rëndom në mënyrë të neveritshme shtrojnë pyetjet se përse po bëjnë këtë në parlament, u them këtyre mjeranëve se një deputet në SHBA mund të bllokojë pa u përjashtuar ditë të tëra parlamentin”, tha Berisha.
(A2 Televizion)