Gazetari Mentor Kikia, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se dy partitë më të mëdha në Shqipëri “po dominojnë me ligj skenën politike” dhe jo me meritë.
“Aktualisht ne nuk jemi në kushtet thjesht të nevojës për të larguar një qeveri e cila na rezulton që është e korruptuar dhe ta zëvendësojmë me një qeveri tjetër. Status kuoja politike dhe status kuoja në partitë politike, e theksoj këtë, bën të nevojshëm jo thjesht një reformë, por një shkundje të sistemit edhe më i fuqishëm se ai i vitit 1992, se atëherë ishte një shkundje pa ditur se çfarë na pret, sepse s'kishim eksperiencë. Sot Shqipëria është në kushtet kur ka konsumuar 35 vjet, një gjeneratë e gjysmë në ngritjen e pushtetit të individit dhe të kultit të individit, Sali Berishës dhe të Edi Ramës, dhe nuk ka ngritur dot sistemin funksional dhe shtetin funksional. Ftesa e Partisë Demokratike për një tryezë më ka ardhur edhe mua personalisht dhe pyetja që bëj është: çfarë do diskutohet? Çfarë duhet sot për t’u bërë për Shqipërinë? Faktori opozitar mund të bashkohet përtej ndasive ideologjike dhe politike, të majtë, të djathtë, të qendrës. Nëse ka një objektiv madhor, këto energji bashkohen në arritjen e këtij objektivi dhe më pas secila palë shikon qasjet e veta. Përsëri vazhdoj të pyes: cili është objektivi? Objektivi për mua nuk është thjesht largimi i një kryeministri. Janë ndërruar kryeministrat dhe aq më pak për ta ndërruar këtë kryeministër me një ish-kryeministër, por vendi duhet t'i nënshtrohet reformave absolutisht të thella. Duhet siguruar një Reformë Zgjedhore afatgjatë dhe jo arnime elektorale tre javë para zgjedhjeve. Për t'i dhënë fund dominimit me ligj, jo me meritë, me ligj, të skenës politike nga dyshja PS-PD”, tha Kikia.
“Është shumë e rëndësishme garantimi me ligj i demokracisë brenda partive politike, sepse partitë autoritariste prodhojnë pushtet autoritarist. Si drejtohen partitë sot? Me grusht të forte. Si drejtohet qeveria? Po me të njëjtën formë. Pse partitë sot janë prona të kryetarëve? Sepse nuk ka ligj që garanton demokracinë brenda partive politike. Ligj për të garantuar transparencën financiare. Nga buron korrupsioni? Nuk është materie e mbinatyrshme që erdhi me meteor. Korrupsioni prodhohet nga mënyra se si financohen partitë. Klani ekonomik që kontrollon sot ekonominë financon partitë në fushata elektorale. Ky klan ekonomik i merr paratë mbrapsht përmes tenderave të paracaktuar. Këta që marrin tenderat krijojnë oligarkinë politike-ekonomike që shkon deri në diktimin e ligjeve personale për të grabitur pronën publike. Do duhet të ndahet. Çfarë ekonomie do bëhet në këtë vend? Sot ekonomia lulëzon vetëm mbi betonin dhe hekurin që shkatërron mjedisin dhe ka shkatërruar sektore të tjerë prodhues, ka gremisur sektorin e bujqësisë. Çfarë do bëjë ky vend? Do ecë mbi bujqësinë, turizmin apo do vazhdojë hekur dhe beton? Këto gjëra mungojnë në qasjen apo në një platformë opozitariste që i paraqitet sot popullit. Pse nuk del populli në rrugë? Populli ka arsye jo për të dalë, por për të ulëritur, por nuk del sepse alternativa që i thuhet “të heqim Ramën, të vëmë Berishën”. A mjafton kjo për ta nxjerrë popullin në rrugë? Them jo, sepse i ka ndërruar një here. Populli duhet të shikojë pikërisht këto çfarë do bëhet ndryshe në këtë vend, sepse këtu duhen përmbysur sistemet. Është ekonomi e kriminalizuar, biznes i kriminalizuar, politikë e kriminalizuar. media e kapur, të gjitha duhen shkundur dhe kjo gjë nuk shkundet thjesht hajde të bëhemi bashkë, të heqim Ramën, por të shkulim të gjithë sistemin që është ngritur dhe nëse këtu partitë opozitare mund të bëhen bashkë jo thjesht për të larguar Ramën, por për t’i dhënë jetë kësaj platforme, unë mendoj që po, partitë mund të bëhen bashkë këtu dhe pastaj secila ndjek qasjen e vet sipas orientimit ideologjik dhe politik”, shtoi Kikia.
(A2 Televizion)