"Gaz Bardhi produkt i qeverisë teknike", Flogert Muça kundër kërkesës së Berishës: Do pushtet në tavolinë

Nga A2 CNN
7 Janar 2026, 21:57 | Politikë

Gazetari Flogert Muça është shprehur kundër kërkesës së kreut demokrat Sali Berisha për ngritjen e një qeverie teknike, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të marrë pushtetin në tavolinë. Në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai tha se modeli i qeverisë teknike është tashmë i provuar në Shqipëri dhe një nga produktet e saj, sipas tij, është Gazment Bardhi. Sipas tij kjo kërkesë nuk ka si synim largimin e Edi Ramës nga pushteti, por thjesht zëvendësimin e individëve.

“E di kush është produkti i qeverisë teknike në Shqipëri? Gaz Bardhi. Ai ishte ministër teknik Gazi? Ju kujtohet ministri i Ramës dhe i Lulit. Gazi është. Këta nuk kërkojnë qeveri teknike. Këta nuk kërkojnë të bëjnë Shqipërinë dhe t'ia heqin nga dora Edi Ramës, kleptomanit. Këta thonë hiqja Lenës, veja Prenës. Pra ma jepni mua qeveri në tavolinë, se unë nuk mundem të fitoj zgjedhjet dhe më lër mua nja dy vjet qeveri teknike deri nga 2027 dhe pastaj me këtë qeverinë teknike pasi ta ketë pastruar”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ai shtoi se kërkesat për qeveri teknike menjëherë pas zgjedhjeve janë jashtë kontekstit politik.

“Por thelbi është ky. Janë jashtë kontekstit. Pra sapo kanë mbaruar zgjedhjet thotë më jep qeveri teknike”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

I pyetur se ideja e qeverisë teknike është mbështetur edhe nga forca të tjera politike, si ajo e drejtuar nga Adriatik Lapaj, Muça u shpreh: “Zotit Lapaj kur t'i shkojë deputeti e tij në protestë hajde flasim. Në të kundërt nuk përfaqëson asgjë. Kaq. Ajo që përfaqëson votuesit nuk i shkon. Ka nxjerrë çdo aktor dhe çdo aktore dhe nuk ka nxjerrë në Facebook deputeten e tij. Ai qoftë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos