Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin në ditët e fundit, po frynë lumenjtë e po mbulojnë toka e banesa me ujë. Pavarësisht ankesës së banorëve në zonat e përmbytura, të cilët janë ngritur edhe në protestë, kryeministri Edi Rama pohon se situata është menaxhuar mirë dhe tashmë janë vetëm 13 mijë e 160 hektarë nën ujë.
“Unë jam shumë krenar për faktin se në çdo situatë emergjence, ne jemi më të gatshëm, më të përgatitur, më efikasë, falë investimeve masive që kemi bërë gjatë kësaj dekade, rreth çerek miliardë euro në infrastrukturën e kullimit e të mbrojtjes. Kjo vorbull deri 10 vjet më parë do kishte përmbytur e papenguar dy apo trefishin e kësaj sipërfaqeje, sikundër edhe ka ndodhur”, tha Rama.
Fajtorin për përmbytjen, Rama nuk e gjen vetëm te kushtet atmosferike apo te shteti por edhe të qytetari, ku sërish thotë se edhe ndotja e lumenjve ka sjell pasoja pas reshjeve të shiut.
“Faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet”.
Me moton “Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, që është dëgjuar shpesh edhe pas tërmetit të 2019-ës dhe gjatë pandemisë, edhe këtë herë Kryeministri Edi Rama premton dëmshpërblim për këto që i është përmbytur toka bujqësore apo banesa.
“Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve”.
Këto komente Rama i bëri gjatë podcastit të tij “Flasim”, ku premtoi sërish se do të vijojë edhe rritja e pensioneve. (A2 Televizion)