Pezullimi nga detyra, zv.kryeministrja Balluku apelon masat e sigurisë

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2025, 19:47 | Politikë

Zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, e pezulluar nga të dy funksionet me vendim gjyqësor, ka ndërmarrë një hap ligjor në përballjen e saj me SPAK.

Përmes avokatëve, Balluku ka ankimuar në Apel masat e sigurisë të caktuara ndaj saj nga Gjykata e Posaçme, “pezullim nga detyra” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Në Apelin e Posaçëm zv.kryeministrja kërkon prishjen e vendimit të 19 nëntorit, për caktimin e masave në mungesë e atë të 22 nëntorit të Gjykatës së Posaçme që i konfirmoi ato dhe shfuqizimin e të dy masave. Në ankim pretendohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore përcaktimin e këtyre masave të sigurisë.

Zv.kryeministrja Balluku u pezullua me kërkesë të SPAK, teksa dyshohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”, kryer në gjatë dy procedurave prokuruese, atë për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe për lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.

Përveç saj, në Apel kanë kundërshtuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” edhe drejtuesi i ARRSH, Gentian Gjyli dhe ai i OSHEE, Erald Elezi, të akuzuar për të njëjtat episode.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos