PS-PD gjejnë një tjetër konsensus, Avokati i Popullit, opozita propozon formulën dhe emrat

Nga Anesti Barjamemaj
2 Dhjetor 2025, 15:13 | Politikë

Partia Socialiste ka bërë një hap pas dhe kërkon konsensus për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha këtë të martë se deputetët e shumicës nuk do të mbështesin asnjë kandidaturë me firma, por presin vetëm emrat që do të vijnë nga opozita.

Menjëherë pas deklaratës së Ballës, homologu i tij demokrat Gazment Bardhi ka pranuar këtë propozim duke treguar edhe skemën se si mund të arrihet në dakordësi për Avokatin e Popullit. Bardhi në dokumentin e firmosur prej tij, propozon që opozita të zgjedh 6 emra e më pas, mazhoranca të zgjedh 3 prej këtyre alternativave.

“Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare propozon deri në 6 (gjashtë) kandidatë të përzgjedhur prej tij, nga lista e kandidatëve që sipas Komisioneve Parlamentare përmbushin kërkesat e kërkuara nga Kushtetuta/Ligji. Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare të përzgjedhë nga lista e propozuar sipas shkronjës “a” më sipër 3 (tre) kandidatë të pranueshëm sipas tij për votim. Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare, nga lista e përzgjedhur sipas shkronjës “b” më sipër, propozon për emërim/zgjedhje 1 (një) kandidat”, tha Gazment Bardhi.

Por kreu i Partisë Demokratike, Sali Berishës, përtej procedurës mendon më shumë për emrin, duke deklaruar se demokratët mbështesin Besim Ndregjonin për Avokat Populli.

“Ne kemi kandidaturat tona, i kemi të listuara, janë të njohura. Njëri prej tyre, Besim Ndregjoni ka qenë në seancë dhe ai, në çdo lloj kodi të veprimtarisë parlamentare duhej të ishte votuar, dhe duhej votohej. Pastaj janë kandidaturat e tjera të cilat PD i mbështet. Ne kemi disa kandidatura”, tha Sali Berisha.

Deri më tani Tartar Bazaj, Jola Hysaj, Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni dhe Endrit Shabani kanë mbledhur firmat si kandidatë për Avokat Populli. Kandidatët e tjerë kanë kohë deri të mërkurën për të dorëzuar kandidaturën e tyre në Kuvend së bashku me firmat mbështetëse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos