Ankesa e Ramës në Kushtetuese, Kolegji pa vendim, “Balluku” i kalon 8 gjyqtarëve

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2025, 17:55 | Politikë

Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim për ankesën e Kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të SPAK dhe GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyrat qeveritare. Tre gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja dhe Sandër Becit në dhomën e këshillimit nuk kanë qenë në një mendje nëse ankimimi i Kryeministrit Rama i plotësonte kriteret për ta shqyrtuar në seancë apo jo.

Në mungesë të unanimitetit në Kolegj, çështja u ka kaluar trupës së 8 gjyqtarëve kushtetues që do të vendosin me shumicë votash nëse çështja do të kalojë në seancë apo jo dhe do të kenë mundësi të shqyrtojnë kërkesën e Edi Ramës për të shfuqizuar pezullimin e Ballukut nga funksionet publike.

Nën trysninë e opozitës dhe një pjesë të opinionit që këtë ankimim të shefit të qeverisë shqiptare e konsiderojnë si presion ndaj GjK, Edi Rama ka vijuar edhe këtë të martë të flasë për çështjen dhe raportet mes pushteteve të pavarura.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai i qëndron fort mendimit të tij se prokurorët dhe gjyqtarët nuk kanë të drejtë të pezullojnë një ministër dhe se lufta kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e mjeteve të gabuara.

Në Gjykatë Kushtetuese, kryeministri kërkon që të sqarohet nëse pezullimi i Ballukut është një shkelje e kompetencave të tij, qeverisë dhe Parlamentit për t’i treguar në këtë mënyrë GJKKO dhe SPAK se deri ku drejtësia e ka kufirin e veprimit pa cenuar ekzekutivin.

Rama parashtron edhe se imuniteti i një ministri është i barabartë me atë të një deputetit, dhe kjo arsye, sipas tij e pamundëson vendimin e drejtësisë.

Derisa të shqyrtohet kjo çështje në themel, Kreu i ekzekutivit i thotë GJK që riktheje në detyrë Belinda Ballukun, pasi ministria nuk mund të funksionojë pa atë në krye.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos