Shqipëria dhe Kosova ishin dy nga vendet që morën pjesë në mbledhjen themeluese të Bordit të Paqes. Me ftesë së Presidentit Donald Trump, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja Vjosa Osmani kaluan oqeanin dhe u pritën nga Trump në Uashington.
Donald Trump duke iu referuar marrëveshjes së firmosur gjatë mandatit të tij të parë tha se kishte zgjidhur konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, por i premtoi Presidentes Osmani që për çdo problem që do të kishte mund ta telefononte atë, shkruan A2.
“Çfarë pune që keni bërë! Shumë mirë. Po shkoni shumë mirë me njëri-tjetrin dhe kur të mos shkoni mirë me njëri-tjetrin, më merrni në telefon dhe e zgjidhim këtë punë”, tha Trump.
Thirrje në telefonin e Trump nuk ka ende, por Edi Rama përdori një rrugë më të shkurtër për të kërkuar ndihmën e SHBA. Në fjalën e tij në “Bordin e Paqes”, kreu i ekzekutivit shqiptar i kërkoi Presidentit të SHBA që të ndërhyjë për atë që po ndodh në Hagë me katër krerët e UÇK ku po kërkohet dënimi i tyre me nga 45 vite secili.
“Më lejoni shumë shkurtimisht t’ju tërheq vëmendjen te një tjetër konflikt i hapur, më pranë vendit tim, ku udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Presidenti i Kosovës, asokohe, u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë brutale për të nënshkruar atë marrëveshje. Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim dhe vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh e tatimpaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burgim për të. Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish”, tha Rama.
Rama shtoi se të gjithëve duhet t’iu vijë turp nga drejtësia ndërkombëtare që po aplikohet në dhomat e specializuara në Hagë. (A2 Televizion)