Guri i parë i themelit për paqen e vërtetë në Gaza u vendos në Uashtingon, edhe me Shqipërinë dhe Kosovën që do të dërgojnë trupa. Kjo është konfirmuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, gjithashtu dhe nga kryeministri Edi Rama, i pranishëm në takim, bashkë me presidenten, Vjosa Osmani.
“Kombet që janë këtu sot, nuk do të mbledhin thjesht para, por disa do të dërgojnë persona për të mbikëqyrur dhe siguruar një paqe të sigurt në Gaza. Indonezia shumë faleminderit. Maroku faleminderit shumë. Shqipëria, Kosova, Kazakistani të gjithë kanë premtuar trupa dhe polici në Gaza. Mendoj që do të kemi disa njerëz shumë të mirë në atë forcë policie. Të gjitha këto vende po punojnë për një vizion që ka të bëjë me paqen në Lindjen e Mesme”, tha Trump, shkruan A2.
Kryeministri Edi Rama u shpreh: “Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj. Në të njëjtën kohë, propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë. Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit”.
Gjeneralmajori i Ushtrisë Amerikane, Jasper Jeffers, që foli në event, nuk bëri të ditur me nga sa forca policore kanë angazhuar Shqipëria, Kosova, Indonezia, Maroku dhe Kazakistani, në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën. Shtetet e Bashkuara premtuan 10 miliardë dollarë dhe vendet arabe 7 miliardë për rindërtimin e Gazës. Për Ish-kryeministrin britanik Tony Blair, plani i Trump është shpresa e vetme për paqe në Lindjen e Mesme: “Vizioni i bordit për Gazën dhe Lindjen e Mesme përfshin jo një paqe të rreme deklaratash që askush nuk i mendon dhe marrëveshjesh që askush nuk synon t’i mbajë, por një angazhim të vërtetë.”
Presidenti Trump adresoi kritikat nëse Bordi i Paqes ishte një organizatë që rrezikon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, një çështje për të cilën foli edhe kryeministri Rama: “Një ditë, unë nuk do të jem më… Kombet e Bashkuara, mendoj se do të jenë një organizatë shumë më e fortë. Bordi i Paqes ndoshta do të mbikëqyrë mbi OKB-në dhe do të sigurohet që ajo të funksionojë siç duhet. Por ne do ta forcojmë OKB-në.”
Rama theksoi: “Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes.”
Në fund, Presidenti Donald Trump firmosi dhe zotimi për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës, ndërsa atij iu bashkuan dhe pjesëmarrësit e tjerë. (A2 Televizion)