“Platformë Vuçiç-Rama për Ballkanin e Hapur”, Berisha: Ja ku përfundon ëndrra e integrimit europian

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2026, 13:46 | Politikë

“Platformë Vuçiç-Rama për Ballkanin e

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po zbaton një “platformë” të diktuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, me synim rikthimin e nismës së “Ballkanit të Hapur”.

I pyetur mbi bashkëpunimin Rama-Vuçiç dhe idenë e anëtarësimit në BE pa të drejtë vetoje, Berisha deklaroi se kjo është një lëvizje që, sipas tij, rrezikon interesat kombëtare dhe mund të lërë Kosovën jashtë proceseve vendimmarrëse, shkruan A2 CNN.

“Kjo është një platformë, një urdhër që Rama mori nga Aleksandër Vuçiç, padroni i tij”, u shpreh Berisha, duke shtuar se thelbi i kërkesës është rikthimi i tregut të lirë rajonal në formatin e “Ballkanit të Hapur”.

Sipas tij, Bashkimi Europian e kundërshtoi prerazi këtë nismë kur, siç tha ai, u bë e qartë se po shndërrohej në një aleancë trilaterale serbo-maqedono-shqiptare. “Edi Ramës iu tha, zgjidh këtë ose atë. Por ata kthehen prapë në vendin e krimit me këto kërkesa”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se “ëndrra shekullore” e integrimit europian, sipas tij, po devijon. “Nuk ka nevojë të kemi veto, por kemi nevojë të kemi këtë. Pra kërkon Ballkanin e Hapur. Ky është thelbi i kërkesës së tij sepse për pushtetin e tij ai është i aftë të bëjë gjithçka”, u shpreh ai.

Berisha paralajmëroi gjithashtu për zhvillime politike në vijim, duke deklaruar se “furtuna për Edi Ramën është vetëm në fillimet e saj” dhe se “kryengritja paqësore është në hapat e saj të para”.

“Miqtë tanë, që pritëm këto ditë, na thanë se jemi të shokuar nga këto që dëgjuam dhe konstatuam në këtë vend”, shtoi ai, duke përfunduar se Rama “mund të marrë çdo vendim për të shpëtuar, por i mbyturi është i pashpresë dhe ne do ta çojmë aty ku e meriton”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos