
Një editorial i përbashkët i publikuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç është komentuar në emisionin “ÇdoKënd” me Merita Haklaj në A2 CNN.
Në shkrim, Rama dhe Vuçiç propozojnë një integrim të përshpejtuar të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa të drejta vetoje dhe pa ndryshime në strukturat vendimmarrëse të Unionit. Por kjo nismë është parë me skepticizëm nga të ftuarit në studio.
Gazetari Pandi Gjata u shpreh kritik ndaj bashkautorësisë së Ramës me Vuçiçin, duke e konsideruar si një zgjedhje jo të mençur politike. Sipas tij, do të ishte më e arsyeshme që një editorial i tillë të realizohej me homologë nga Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, vende që ndajnë të njëjtin ritëm integrimi me Shqipërinë. Ai kujtoi gjithashtu dështimin e nismës “Ballkani i Hapur” dhe theksoi se një aksion i përbashkët me Vuçiçin nuk i shton peshë presionit ndaj BE-së për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
Pandi Gjata ngriti edhe çështjen e qëndrimeve të fundit të Vuçiçit për Kosovën, duke theksuar se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa njohur pavarësinë e saj.
Nga ana tjetër, pedagogu Ardian Ndreca u shpreh se do të preferonte një editorial të përbashkët me homologun kosovar, për një qasje më të unifikuar drejt Evropës. Ai theksoi se BE ka rezerva ndaj politikës së jashtme të Ramës, duke përmendur nisma që, sipas tij, bien ndesh me linjën zyrtare të Unionit. (A2 Televizion)
