Presidenti Begaj mesazh shqiptarëve: Kthejeni 11 majin në ditë feste, vota është zëri juaj!

Nga A2 CNN
9 Maj 2025, 14:37 | Politikë

Presidenti Begaj mesazh shqiptarëve: Kthejeni 11 majin në ditë

Presidenti Bajram Begaj, priti sot një delegacion të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga eurodeputeti Michael Gahler, i cili ndodhet në Shqipëri për të monitoruar zgjedhjet që do të mbahen më 11 maj. Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi procesin zgjedhor dhe rëndësinë që ka ai në kuadër të përmbushjes së standardeve evropiane në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Gjatë bisedës, ligjvënësit evropianë treguan interes të veçantë për risinë e këtyre zgjedhjeve, që është votimi i Diasporës.

I sotmi ishte takimi përmbyllës i Presidentit me vëzhguesit ndërkombëtarë përpara fillimit të periudhës së heshtjes zgjedhore.

Me këtë rast, Presidenti Begaj ndau një mesazh të posaçëm për qytetarët shqiptarë, duke i ftuar ata të marrin pjesë në votime me qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet.

“11 maji është një ditë e veçantë për secilin prej jush. Ju ftoj të ushtroni të drejtën tuaj për të votuar me vetëdije të plotë, sepse demokracia nuk është vetëm një ditë votimi, por një angazhim i përditshëm”, u shpreh Presidenti.

Ai theksoi gjithashtu detyrimin e institucioneve për të garantuar një proces të ndershëm dhe transparent, duke nënvizuar se vetëm përmes zgjedhjeve të besueshme ndërtohet besimi i qytetarëve te shteti dhe demokracia.

Presidenti e përmbylli mesazhin e tij duke kërkuar nga qytetarët që ta shndërrojnë 11 majin në një ditë feste dhe angazhimi qytetar.

“Vota është zëri juaj. Përdoreni me dinjitet, sepse përmes saj ju merrni në dorë fatin tuaj dhe të brezave që do të vijnë”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos