Margot Friedländer - një jetë kundër harresës

Nga Enver Robelli
9 Maj 2025, 22:20 | Blog

Margot Friedländer - një jetë kundër harresës
Ka vdekur në Berlin në moshën 103-vjeçare Margot Friedländer. Ajo ishte një grua në dukje e brishtë, por shumë e fuqishme, e mbijetuar e Holocaustit. Të gjithë famijarët e saj u vranë nga nazistët. Margot Friedländer emigroi në Amerikë dhe pas vdekjes së bashkëshortit të saj vendosi të kthehej në Gjermani, tashmë ishte në moshën mbi 80-vjeçare.

Me vullnet të pashoq ajo luftoi kundër harresës. Shkroi një libër që u bë bestseller. Foli para politikanëve, nxënësve, studentëve, gazetarëve. Në Auschwitz prindërit e saj u ndanë nga vëllai i vogël i Margotit. Që të tre u vranë. Porosia e saj ishte: ne jemi të gjithë njerëz. Bëhuni njerëz (porosia tjetër ose më saktë: thirrja tjetër). Për jetën e saj u xhirua një film. Me 102 vjet stolisi ballinën e revistës Vogue (edicioni në gjermanisht).

Ajo u lind më 5 nëntor 1921 në Berlin, me emrin Anni Margot Bendheim. Prindërit e saj sapo kishin një vit që ishin martuar, shkruan Süddeutsche Zeitung. I ati kishte luftuar në Luftën e Parë Botërore. Ishte tregtar. E ëma kishte një dyqan kopsësh. Në vitin 1925 lindi vëllai i saj, Ralph. Ai ishte një nxënës i shkëlqyer, kapërceu disa klasa, luante në violinë, merrej me boks – dhe kishte zakon të ecte me duart pas shpine, nënvizon Süddeutsche Zeitung.

Margot Friedländer e mbijetoi kampin Theresienstadt. Kur në moshën 101-vjeçare u pyet mbi sekretin e jetëgjatësisë së saj, ajo tha se kishte një obligim, një mision. Ajo dëshmoi për anët më të errëta të shekullit të 20-të. U mbetet të gjallëve të nxjerrin mësimet e duhura nga e kaluara. Margot Friedländer u largua nga kjo botë në 80-vjetorin e mposhtjes së nazizmit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos