Nesër demokratët me flakadanë në Kuvend? Gazetari i A2 CNN: Policia ka blinduar godinën

Nga A2 CNN
11 Mars 2026, 21:06 | Politikë

Në një lidhje direkte për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, gazetari Ervin Koçi foli për protestën e opozitës që do të zhvillohet nesër para Kuvendit dhe për mundësinë e një përshkallëzimi edhe brenda ambienteve të Kuvendit nga deputetët e opozitës për çështjen “Balluku”.

Në seancën plenare të ditës së nesërme pritet që Partia Socialiste të votojë për mospranimin e kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit ndaj ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.

Nëse flasim numerikisht në sallën e Kuvendit, Partia Socialiste është mëse solide për të miratuar raportin e saj të Këshillit të Mandateve, i cili sugjeron që të mos pranohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për t’i dhënë autorizimin që ndaj ish-zëvendëskryeministres të vendoset një masë më e rëndë shtrënguese sesa ajo e ndalimit për të dalë jashtë vendit”, tha gazetari Koçi.

 “Kosto mbetet për Partinë Socialiste sa kohë ka një ndryshim qëndrimi nga një parti që në të shkuarën thoshte se nuk do të ndërmerrte asnjë hap që mund të binte ndesh me drejtësinë. Të paktën këto janë lënë të kuptohen në narrativën e përdorur nga kryeministri Rama, por edhe nga zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste sa i përket çështjes së paraburgimit në Shqipëri”, shtoi ai.

Ndërkohë, gazetari Koçi foli edhe për raportin e paralajmëruar të opozitës, i cili pritet të shprehet pro miratimit të kërkesës së SPAK-ut për ndryshimin e masës ndaj Belinda Ballukut.

Kemi raportin e opozitës, i cili kërkon që të miratohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme. Sigurisht, opozita ditën e nesërme nuk e ka kryetarin e grupit parlamentar për të bërë prezantimin e raportit dhe këtë detyrë ia kanë deleguar zotit Oerd Bylykbashi.”

Në lidhje me protestën opozitare të nesërme jashtë Kuvendit, gazetari u shpreh se mund të ketë tensione dhe për këtë arsye mund të shtohen masat e sigurisë, si brenda Kuvendit për shkak të mundësisë së futjes së çantave me flakadanë, ashtu edhe jashtë në protestë.

Mund të kemi një tensionim të situatës për shkak se protesta do të zhvillohet jashtë dyerve të sallës së seancave plenare. Punonjësit e Policisë së Shtetit, por edhe punonjësit e Gardës së Republikës, kanë bërë izolimin me kordone metalike të hyrjes së sallës së seancës plenare. Gjithashtu është edhe protokolli i sigurisë që zbatohet në momentin kur deputetët futen brenda ambienteve të sallës plenare. Të gjithë deputetët kalojnë në skanerin detektor. Gjithashtu fusin edhe çantat e tyre apo sende të tjera, të cilat kalojnë nëpër pajisje detektuese dhe nëse konstatohen sende metalike apo sende të tjera të ndaluara, sigurisht që nuk do të lejohen të futen”, tha gazetari.

Në të shkuarën e kemi parë që brenda sallës së Kuvendit janë futur jo një apo dy, por një çantë e tërë me flakadanë dhe nëse kemi një përsëritje të tillë, sigurisht që seanca plenare ditën e nesërme mund të jetë shumë më e reduktuar në minutazh krahasuar me të shkuarën. Këto janë ende skenarë. Me gjasë do të jetë një skenar surprizë që do të zbulohet ditën e nesërme”, u shpreh gazetari Koçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos