Kryedemokrati Sali Berisha ka mbërritur rreth orës 18:00 në selinë e PD-së, ndërkohë që pritet të nisë protesta e thirrur nga opozita para Kryeministrisë, raporton A2CNN. Berisha është pritur si zakonisht nga simpatizantët, të cilët janë mbledhur në selinë blu, dhe mandej pritet të marshojnë në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
A2CNN mëson se protestuesit do të mblidhen fillimisht para godinës së Kryeministrisë dhe më pas do ndahen në dy grupe, ku nuk përjashtohet shkuarja para Parlamentit dhe institucione të tjera, ku sot ka prani të shtuar të policisë. Po ashtu pritet një marshim i protestuesve në perimetrin e unazës së mesme të Tiranës.
Sikurse në protestën e së premtes së kaluar, Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit. Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. (A2 Televizion)