Gazetari Enver Robelli komentoi protestën e zhvilluar sot në Shkup nga studentët shqiptar, që kërkuan mbajtjen e provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas Robellit qëllimi final i qeverisë maqedonase është minimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila shihet si goditje e rëndë ndaj ideve nacionaliste në RMV.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Robelli solli në vëmendje që po hiqen edhe tabelat e rrugëve në gjuhën shqipe, si dhe ka përpjekje për ta hequr shqipen nga vulat.
“Kjo qeveri e Maqedonisë së Veriut prej që kur ka ardhur në pushtet e ka ashpërsuar klimën politike. Tensionet ndëretnike nuk kanë qenë kurrë më të larta, po flas për vitet e fundit, sepse kjo qeveri e ka normalizuar diçka që s’është normale. Është bërë normale që në rrjetet sociale nacionalistët maqedonas të kërkojnë vdekjen e shqiptarëve. Jo vetëm s’ka reagim të politikës, por heshtin edhe institucionet e tjera, heshtin intelektualët, përfaqësues të shoqërisë civile. Ka dy vjet që studentët në Maqedoninë e Veriut po e zhvillojnë këtë betejë, por pa përkrahjen e duhur. Po hiqet gjuha shqipe nga tabelat e rrugëve. Ka përpjekje për ta hequr shqipen edhe nga vulat”, tha Robelli.
“Kam përshtypjen se qëllimi final i qeverisë maqedonase dhe nacionalistëve është minimi i Marrëveshjes së Ohrit. Sepse nacionalizmi maqedonas e ka parë këtë marrëveshje si goditje shumë të madhe ndaj ideve nacionaliste maqedonase, të cilat në fund të fundit kanë vetëm një qëllim, ta shikojnë kombin maqedonas si pronar të shtetit dhe të tjerët që mund të marrin pjesë, mund të jenë në Parlament, por vendimet e rëndësishme i marrin maqedonasit. Kjo është edhe pasojë e përçarjes së madhe të korpusit politik shqiptar”, u shpreh gazetari. (A2 Televizion)