Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, tha se objektivi kryesor i opozitës është qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ai tha se të gjitha skenarët janë në tavolinë për arritjen e këtij objektivi, përfshirë ngujimi.
“Nëse sot ka pasur një marshim do të shkohet dhe në skenarë të tjera. E kërkoj me ngulm ngujimin dhe e kërkoj si një vendimmarrje të grupit parlamentar të deputetëve duke nisur nga unë vetë i pari dhe të të gjithë anëtarëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike”, tha Këlliçi për A2 CNN.
Këlliçi shtoi se personi që i mban të gjithë këta njerëz sot në këmbë dhe i garanton vjedhjen në mënyrë të përditshme taksave tona është Edi Rama. Dhe sipas tij, Kryeministri do të përfundojë në burg.
“Edi Rama e di më mirë se unë fundin e tij dhe fundin e tij tragjik, politik dhe juridik. Kështu që Edi Rama takimin e ka me burgun, takimin e ka me McGonigalin edhe mbajeni shënim këto që ju them. Takimin e ka me agjencitë e huaja ligj zbatuese. Takimin e ka me tradhtinë kombëtare që ka bërë dhe me cenimin e sigurisë së aleancës së NATO-s duke futur në Portin e Durrësit interesa ruse. Dhe Edi Rama e di shumë më mirë se unë apo se çdo deputet i Partisë Demokratike që fundi i tij do të jetë tragjik”, shtoi Këlliçi. (A2 Televizion)