Është përfshirë nga flakët ish-vila e diktatorit Enver Hoxha në zonën e ish-Bllokut. Protestuesit e opozitës e kanë sulmuar godinën me një breshëri molotovësh, 54 të tillë, ndërkohë që zjarri në godinë është shuar brenda pak minutash.
A2CNN raporton se gjatë sulmit me molotov ka pasur njerëz brenda vilës. Raportohet se ata janë larguar nga kati i parë i objektit drejt zonave më të sigurta në vilë. Sulmi te ish-vila e diktatorit duket se e ka kapur të papërgatitur Policinë e Shtetit. Megjithatë reagimi i efektivëve nuk mungoi, ku Forcat Speciale shpërndanë turmën përmes një autoboti me ujë.
Fill pas zjarrit në ish-vilën e diktatorit, kreu i PD Sali Berisha është larguar me makinë.
Më herët protestuesit tentuan të shkojnë te godina e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, por efektivët ndërhynë me ujë dhe gaz lotsjellës duke shpërndarë marshimin e turmës. Një protestues humbi ndjenjat nga hedhja e gazit lotsjellës dhe u transportua me ambulancë në spital.
(A2 Televizion)