
Rritja e çmimit të naftës është e pashmangshme në të gjitha tregjet botërore për shkak të luftës së SHBA-Izrael ndaj Iranit. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në nisje të podcastit “FLASIM”, duke theksuar se do të finalizohet krijimi i faktorit shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, me qëllim të stabilizimit të tregut.
“Kjo është një rritje e pashmangshme në të gjitha tregjet botërore dhe po ndodh si pasojë e këputjes së zinxhirit të vlerës që qarkullon në shkëmbimet tregtare në një pikë strategjikes siç është Ngushtica e Hormuzit. Ne nuk do të rrimë duarkryq përballë kësaj situate. Jemi sot edhe për shkak të kushteve të kësaj krize të papritur, në momentin kur do finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror, me impakt në tregun e brendshëm të naftës që do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut që do ndikojnë në rritjen e transparencës së çmimit dhe do garantojë furnizimin në treg duke pasur në mbështetje një kapacitet të rëndësishëm siç është garancia sovrane. Besoj shumë se ky do të jetë një moment kthese për të përmbushur një tjetër zotim të marrë me nisjen e mandatit të katërt që nafta që tregtohet në Shqipëri të jetë një produkt në një nivel të pandikuar kaq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare”, tha Rama.
Ai njoftoi gjithashtu se Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka ngritur një Task Forcë për parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimit të karburanteve, por edhe për të studiuar edhe një ndikim mbi fenomenin abuzim të rritjes së çmimit të ushqimeve.
“Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka ngritur një Task Forcë për parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimit të karburanteve, por edhe për të studiuar edhe një ndikim mbi fenomenin abuzim të rritjes së çmimit të ushqimeve”.
Deklarata e plotë
Shënimi i parë lidhet pashmangshmërisht me impaktin e luftës së SHBA dhe Izraelit, të cilën ne e mbështesim plotësisht kundër makinerisë së regjimit kriminal të Teheranit, mbi çmimin e naftës.
Kjo është një rritje e pashmangshme në të gjitha tregjet botërore dhe po ndodh në të gjithë botën pikërisht si pasojë e këputjes së zinxhirit të vlerës që qarkullon në shkëmbimet tregtare në një pikë strategjike siç është ngushtica e Hormuzit.
Gjithsesi nga ana tjetër, ne nuk do të rrimë duarkryq përballë kësaj situate dhe siç e kam deklaruar në fakt kohë më parë, jemi sot edhe për shkak të kushteve të kësaj krize të papritur në momentin kur do finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, i cili do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut, do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimit, si dhe do të garantojë furnizimin në treg, duke pasur në mbështetje një kapacitet shumë të rëndësishëm siç është garancia sovrane.
Pra, besoj shumë se ky do të jetë një moment kthese për të përmbushur edhe një tjetër ambicie dhe zotim të marrë menjëherë me nisjen e mandatit të katërt, që nafta që tregtohet në Shqipëri, të jetë një produkt në një nivel të pandikuar kaq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe kjo është plotësisht e mundur. Paralelisht, Ministrja e Ekonomisë ka ngritur një task forcë të përbashkët me Ministrin e Financave, duke vënë në veprim administratën tatimore dhe doganore, nga njëra anë, me qëllim rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve dhe parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimeve të karburanteve dhe nga ana tjetër për të studiuar me shpejtësi edhe një ndikim mbi fenomenin abuziv të rritjes së çmimit të ushqimeve.
Ky grup propocional do të fokusohet me një plan të detajuar në gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve, si në shumicë, ashtu dhe në pakicë, ndërsa çmimet do jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse.
Po ashtu, projektligji për rezervat strategjike të naftës është tashmë në konsultim publik. Përkon me këtë situatë, por është një nismë e ndërmarrë kohë përpara krijimit të kësaj situate. Parashikon një krijim rezervash që shtrihet nga një në tre muaj, të naftës, por e thashë dhe më parë, ambicia jonë shkon përtej kësaj dhe besoj se në pak muaj, qytetarët do të mund të prekin fillimin e një ndryshimi të shumëpritur në tregun e karburanteve. (A2 Televizion)