Në një kohë kur deputetët socialist, por edhe nga Rithemelimi, flasin për negociata që Kuvendi të kthehet në normalitet, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të mos e përkufizojë si “marrëveshje”. Në përfundim të mbledhjes që u zhvillua në Shkodër, Rama tha se ngritja e Komisioneve Hetimore është një e drejtë e opozitës, që nuk është refuzuar asnjëherë, vetëm në rast se nuk shkelnin ligjin. Për sa kohë që kjo do të realizohet, tha Rama, atëherë mazhoranca është shumë dakord.
“Realisht nuk arrij ta kuptoj nëse ata që komentojnë marrëveshjen për ngritjen e komisioneve hetimore nuk kuptojnë, sepse ne e kemi thënë shumë kohë më parë që nuk kemi refuzuar dhe nuk kemi shkelur asnjë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore, kemi refuzuar që të votojmë iniciativa që në emrin e komision hetimor shkelnin kornizën e mirëpërcaktuar nga vendimet e gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk është çështje marrëveshje dhe as negociata, por është çështje e të drejtave, opozita ka të drejtë të ngrenë një komision hetimor, por duhet të jetë brenda kornizës që përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, për sa kohë është e tillë ka miratimin tonë”, tha Rama.
Në rast se nuk ka një dakordësi, Rama tregon se ka një plan “B”, për t’i adresuar propozimet e tyre për Reformën Zgjedhore. Hapi i radhës do jetë Kuvendi, ose do të futen në zgjedhje me Kodin ekzistues zgjedhor. (A2 Televizion)