Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, foli në emisionin “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj për garën e ardhshme në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranë, ku socialistët ende nuk e kanë konfirmuar përfundimisht si kandidate Ogerta Manastirliun.
Klosi konfirmoi se ajo vijon të jetë një figurë kyçe në garë dhe aktualisht mban rolin e drejtuese politike të qarkut Tiranë. Megjithatë, ai theksoi se procesi përfundimtar i përzgjedhjes së kandidaturave do të ndjekë të gjitha hallkat statutore të partisë, duke lënë të hapur vendimmarrjen përfundimtare.
I pyetur nëse do të vazhdojë të qëndrojë Manastirliu kandidate, Klosi u shpreh: “Manastirliu është drejtuese politike e qarkut Tiranë. Filloi një garë elektorale e ndërprerë në mes nga vendimet e gjyqësorit, një garë fituese maksimalisht nga Ogerta nëse do të ndodhte. Tani është në një proces që shkon në të gjitha fazat. Kryeministri dhe kryetari i partisë ka shprehur që Ogerta është një kandidate e jonë në garën e ardhshme, një proces që është i hapur dhe do të ndiqet në të gjithë strukturat e partisë, do të ndiqet edhe në Tiranë”.
“E vetmja dilemë është ajo që, ne që jemi administratorë të garës dhe administratorë të jetës së brendshme partiake, i qëndrojmë fort statutit, procedurave. Ogerta vazhdon me shumë përkushtim dhe sinqeritet garën. Nuk e ka vetëm një garë personale, por që të menaxhojë të gjithë këtë armatë të madhe, ku PS merr 1/3 e votës në gjithë Shqipërinë”, shtoi ai.
Sekretari i përgjithshëm i PS foli për nevojën e një strukturimi të ri në Tiranë.
“Kemi nevojë të bëjmë një strukturim tjetër në Tiranë, prandaj tani Tirana nga 13-14 njësi është shndërruar në 33, ku 2-shi është ndarë në tre pjesë, etj. Numri i madh i votave na kërkon që të shtojmë forcat në Tiranë”, tha Klosi.
Klosi theksoi ndër të tjera se në Tiranë ka shumë nevojë për një njohje më të mirë të listës dhe të elektoratit. (A2 Televizion)