Gjykata e Posaçme u detyrua të shtyjë për një datë të re seancën e së premtes të çështjes penale ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, i pandehur në dosjen “Buka sh.a.”.
Shkak i dështimit të seancës u bë mungesa e avokatit të ish-zëvendëskryeministrit, në arrati për drejtësinë shqiptare, për shkak të një angazhimi në Shkollën e Magjistraturës. Shtyrja e seancës bëri të pamundur edhe marrjen e dëshmisë së biznesmenit Lirim Fezollari, i thirrur nga SPAK në proces, ndonëse dëshmitari ishte i pranishëm.
Gjyqtarja Irena Gjoka nuk e zëvendësoi avokatin e Ahmetajt, por vendosi të njoftojë Dhomën e Avokatisë mbi mungesën e tij, që sipas gjykatës po bëhej shkak për zvarritje të procesit.
Seanca e radhës u caktua për më 27 prill. Në këtë çështje penale, Arben Ahmetaj po gjykohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, e dyshuar si e kryer gjatë procedurës së privatizimit të ish-ndërmarrjes shtetërore “Buka sh.a.”.
(A2 Televizion)