“Me Serbinë interesa, jo aleancë”, Hoxha: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk është bllokuar

Nga Fjorela Beleshi
10 Prill 2026, 16:09 | Politikë

Shtetet anëtare të BE nuk e kanë bllokuar integrimin e Shqipërisë, por vonesat për miratimin e IBAR për vendin tonë janë një proces klasik negociate mes Këshillit dhe vendeve anëtare në një krah, si dhe Komisionit Europian në krahun tjetër. Për këtë del garant ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.

Kryediplomati shqiptar rezervohet të thotë se cilat janë shqetësimet e shteteve të Unionit, por është shpresëplotë që brenda javëve mund të ketë një lajm të mirë për datën e konferencës ndërqeveritare për pikat e ndërmjetme të Themelorëve. Aty do të merret vesh nëse do të ketë kushte shtesë.

Ministri Hoxha sqaroi edhe editorialin në mediat gjermane të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç, duke e nënvizuar faktin se Shqipëria dhe Serbia nuk kanë një projekt të përbashkët për integrimin, por ishte thjesht një ide që i intereson të dyja palëve.

Edhe pse e di që Kosova është zemëruar nga ky editorial, Ferit Hoxha i kërkoi Prishtinës që të mos e lexojë me emocion çdo takim Tiranë–Beograd. Ndërsa mohoi që qeveria shqiptare të ketë “ndëshkuar” zv/kryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla, për komentet e saj publike që pasuan këtë shkrim.

Ministri refuzoi të komentonte deklaratat e Vuçiç, që Kosova është Serbi.

Ministri i Jashtëm i dërgoi një mesazh edhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke u kërkuar që të respektojnë kërkesën legjitime të studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe në provime.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos