"Janë rritur çmimet e perimeve", Ibrahimaj: Nëse do duhet, do të subvencionojmë shtresat në nevojë

Nga A2 CNN
10 Prill 2026, 17:00 | Politikë

"Janë rritur çmimet e perimeve", Ibrahimaj: Nëse do

Rreth 80 produkte të shportës ushqimore po mbahen në monitorim nga institucionet për të mos lejuar abuzimet me çmime spekulative. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se nga monitorimi nuk ka rezultuar të ketë abuzime dhe se janë shtrenjtuar vetëm perimet.

Që nga fillimi i krizës, kemi monitoruar në bazë ditore të gjitha produktet e shportës. Janë 80 produkte të shportës që monitorohen çdo ditë. Rritja ka ndodhur te kategoritë e perimeve”.

Inflacioni në muajin mars rezultoi 2.6%, që sipas ministres është i kontrollueshëm, por nëse do të ketë shtrenjtim të produkteve ushqimore masivisht, siç ndodhi në 2022-shin prej luftës në Ukrainë, qeveria do të ndërhyjë me paketa mbështetëse.

“Do të vijojmë monitorimin dhe, nëse do të shohim që çmimet do të rriten edhe në të gjitha produktet e tjera të shportës, padyshim që do të ndërhyjmë me një akt që do të subvencionojë rritjen e çmimeve për shtresat në nevojë.”

Sa i takon çmimit të karburantit, Ibrahimaj tha se bordi ka reflektuar deri më tani çdo lëvizje që ka ndodhur në bursë. Sa i takon taksave, veç reduktimit të akcizës me 20%, nuk parashikohen ndërhyrje të tjera.

“Qëllimi i bordit është që të mos lejojë që çmimet e karburanteve të mos rriten në mënyrë abuzive. Ne nuk mendojmë se ka nevojë për të ndërhyrë te taksa e qarkullimit, sepse ai që konsumon më shumë karburant paguan më shumë. Ajo që kemi vendosur është ulja e akcizës 20% kur nafta shkon mbi 220 lekë ose 200 lekë për benzinën.”

Së shpejti, Ministria e Financave, përmes shoqërisë AlbTrace, do të fillojë markimin dhe gjurmimin e flukseve të karburantit për të mos lejuar kontrabandën. Më herët, ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se ende nuk është vendosur nëse do të ketë tarifa ekstra për markimin dhe gjurmimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos