Pse nuk mblidhet Këshilli i Sigurimit Kombëtar? Presidenca reagon një ditë pas paralajmërimit të SHBA

Nga A2 CNN
2 Prill 2026, 13:42 | Politikë

Pse nuk mblidhet Këshilli i Sigurimit Kombëtar? Presidenca reagon

Pas interesimit të mediave dhe apelit të opozitës për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar nga kreu i shtetit Begaj, një ditë pas paralajmërimit të bërë dje nga Ambasada e SHBA për sulme të mundshme të Iranit në Shqipëri, Presidenca ka dalë me një sqarim zyrtar mbi funksionimin dhe rolin e këtij organi.

Zyra e Shtypit e Presidentit thekson se Këshilli i Sigurimit Kombëtar është një organ këshillimor në mbështetje të kreut të shtetit, i cili nuk merr vendime për çështjet që diskuton.

Në vlerësimin e kreut të shtetit, të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe po ndjekin nga afër situatën. Po ashtu, theksohet se mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë, ndërsa bashkëpunimi mes institucioneve dhe me partnerët ndërkombëtarë konsiderohet në nivele shumë të larta.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor në mbështetje të Presidentit të Republikës për ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të veta kushtetuese dhe ligjore. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime për çështjet që diskuton. Këshilli përbëhet nga drejtues të organeve të larta shtetërore dhe titullarë të institucioneve të rëndësishme”, thuhet në reagimin e Presidencës për mediat.

Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informohet prej tyre për çdo situatë dhe skenar, si dhe për të gjtha masat që merren në kuadër të protokolleve të sigurisë. Presidenti i Republikës ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës. Mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka konstatuar se bashkëpunimi institucional dhe ai me partnerët e huaj e ndërkombëtarë është në nivele tejet të larta. Presidenti i Republikës vijon komunikimin me institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare, të cilat janë në koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me partnerët tanë, si dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore”, vijon reagimi i Presidencës. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos