“Pse u çmend domatja”, Fatos Çoçoli: Shqipëria ka rezistuar, s’janë rritur shumë çmimet, vetëm nafta

Nga A2 CNN
22 Prill 2026, 21:11 | Politikë

Gazetari i ekonomisë, Fatos Çoçoli, ka analizuar rritjen e çmimeve si pasojë e valës së fortë të ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Ai konsideroi që çmimi i karburantit ka ndikuar në ekonominë shqiptare, por ka theksuar se pavarësisht presioneve, vendi ka arritur të ruajë një stabilitet në çmimet e produkteve bazë.

Në Off The Record me Andrea Dangllin, gazetari u shpreh se rritja e çmimit të naftës është ndjerë drejtpërdrejt nga qytetarët, sidomos ata që e përdorin makinën për punë, madje tregoi dhe ndikimin që kjo gjë ka patur tek ai vet.

“Si qytetar e kam ndjerë tek makina që përdor sepse e përdor për arsye pune dhe është bërë më e shtrenjtë. Kështu që jam përpjekur të harxhoj diku më pak në mënyrë që ta kompensoj, sepse të ardhurat nuk janë rritur me shtrenjtimin e karburantit,” tha Çoçoli.

Sipas tij, si ekonomist ka pasur frikë se rritja e një elementi bazë si karburanti mund të sillte një rritje në çmime të tjera, por ndër ushqimet bazë, gazetari konsideroi vetëm domaten si produkt që ka pësuar rritje të lartë, madje duke thënë me batutë që "u çmend domatja".

“U frikësova si ekonomist shumë më tepër se mos kalonte tek çmimet e ushqimeve. Për fat nuk na është shtrenjtuar buka, nuk na është shtrenjtuar djathi, të lynët, ato mallra që i konsumojmë çdo ditë. U çmend domatja, por për disa arsye të tjera që s'kishte të bëin me karburantin, sepse fermerët u goditën dy herë nga përmbytjet, nga ngricat dhe e panë të arsyeshme që t'i rëndojnë një çikë çmimet e këtyre produkteve, fruta perimeve që quhen të hershme, pra që vijnë nga serat.”, u shpreh ai.

Në përfundim, Çoçoli vlerësoi se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri, ndërsa çmimi i naftës është rritur aktualisht me rreth 15-16%.

"Kështu që gjykoj se arritëm të rezistojmë si ekonomi. Vetëm nafta është shtuar. Tani që flasim është diku te 15, 16% me çmimin e fundit të bordit të transparencës. Ndërsa ushqimet për fat kanë rezistuar.", tha gazetari nga studioja e emisionit "Off the Record" nga Andrea Danglli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos