
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se "shqiptarëve u fshihet fakti se sot me kalendar ishte përcaktuar konferenca ndërqeveritare, e cila nuk u mbajt".
"Nga fillimi i muajit mars gjer sot, për procesin e integrimit të Shqipërisë janë organizuar në Bruksel një seri takimesh dhe mbledhjesh. Të gjitha të mbajtura fshehurazi nga qeveria, ndonëse përfaqësuesi i saj ka qenë aty. Të gjitha të mbajtura fshehurazi ndaj opozitës, ndaj qytetarëve. Në të gjitha, pa përjashtim, është debatuar gjerësisht për shkarjen e rëndë mbrapa. Kjo është e vërteta. Në të gjitha këto takime nuk është arritur ujdia apo konsensusi që të kalojë raporti IBAR, një raport i ndërmjetëm, jo përfundimtar", tha Berisha, shkruan A2.
"Shqiptarëve nuk u thuhet se në 6 mbledhje gjer tani, të atij institucioni që vlerëson pikërisht këtë raport, kërkesat ndaj Shqipërisë kanë ardhur në rritje. Dhe nuk është votuar, nuk është rënë dakord të votohet raporti që u votua për Malin e Zi që në fillim të marsit, të dyja ishin në të njëjtën mbledhje. Shqiptarëve u fshihet nga qeveria dhe lobistët e saj të korruptuar, fakti se vendet anëtare kundërshtuese të votimit të raportit erdhën gjithnjë duke u shtuar. Shqiptarëve u fshihet fakti se presidenca ndryshoi raportin dhe kërkesat, pikërisht për t’u përshtatur me kërkesat që paraqitën vendet anëtare ndaj Shqipërisë. Këto u fshihen nga Edi Rama dhe lobistët korruptivë të tij. Shqiptarëve u fshihet fakti se sot me kalendar ishte përcaktuar konferenca ndërqeveritare, e cila nuk u mbajt. Dhe preokupimi i lobistëve nuk është se shqiptarët nuk dinë asgjë për këto, por përkundrazi se nuk duhet të dinë për këto sepse do të sulmojnë Edi Ramën. Unë u bëj thirrje vendeve anëtare të BE, i bëj thirrje Komisionit Europian dhe Presidencës, të marrin çdo masë që procesi i integrimit të jetë transparent për shqiptarët", shtoi kreu demokrat.
(A2 Televizion)