E shkuara pas krahëve, Rama me Mitsotakis në Athinë: Marrëveshje për çështjet e pazgjidhura

Nga Fjorela Beleshi
22 Prill 2026, 16:17 | Politikë

E shkuara pas krahëve, Rama me Mitsotakis në Athinë:

Pas afro 5 vitesh kryeministri Edi Rama pritet zyrtarisht në Athinë nga homologu i tij grek Kiriakos Mitsotakis. Shkak për këtë distancë të gjatë kohore u bënë përplasjet mes njëri-tjetrit për disa çështje, mes të cilave edhe ajo e ishkryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Fredi Beleri u akuzua nga kryeministri Rama dhe u dënua për shit-blerje votash nga drejtësia shqiptare dhe nga burgu u zgjodh eurodeputet nga partia e kryeministrit grek, Mitsotakis.

E duket se arsyet që zemëruan Tiranën dhe Athinën zyrtare janë hedhur pas krahëve nga dy kryeministrat.

“Është gjithmonë kënaqësi të të mirëpres në Athinë, i dashur Edi. Është gjithmonë mirë të bëjmë një vlerësim të përparimit të rëndësishëm që është arritur në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe të mbështetjes sonë të vazhdueshme për rrugën e vështirë që ju po ndiqni drejt BE. Por besoj gjithashtu se kemi një mundësi të rëndësishme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të forcuar një miqësi të vërtetë”, tha Mitsotakis.

“Ndihem i lehtësuar se çfarë ka ndodhur në të shkuarën ka mbetur në të shkuarën, më bën më të lumtur për të ardhur në këtë vend të bukur, të cilin unë e adhuroj. Gjithashtu dua t’ju falënderoj për mbështetjen, e vlerësojmë shumë”, tha Rama.

Pa dhënë shumë detaje se cilat janë zgjidhjet dhe dakordësitë mes Ramës dhe Mitsotakis, shefi i qeverisë shqiptare foli për një dokument të përbashkët partneriteti për t’i dhënë zgjidhje të gjitha çështjeve dypalëshe.

“Ne jemi të vendosur për të finalizuar atë që kemi dakordësuar së bashku, një dokument të përbashkët partneriteti strategjik, ku të gjitha çështjet janë të dakordësuara dhe nuk ka asnjë çështje të keqkuptuar mes nesh, për këtë arsye ne duam t’u bashkohemi juve në BE dhe për ta bërë këtë rajon më relevant në atë tryezë”, tha Rama

Për të shtensionuar mungesën e gjatë të njëri-tjetrit, Rama kërkoi vëmendjen e mediave greke për shkeljen e tij të protokollit të kodit të veshjes, por Mitsotakis ia bëri të qartë se kjo nuk është hera e parë.

“Kryeministër, kërkoj falje që nuk jam veshur formalisht në mënyrë perfekte, si ju, pasi nuk prisja një mikpritje me kaq shumë nderime”, tha Rama.

Unë e di që ju, përsa i përket kodit të veshjes, jeni gjithmonë inovativ dhe ne e pëlqejmë këtë”, tha Mitsotakis.

Kjo ulje në tryezë mes Shqipërisë dhe Greqisë vjen në një moment kur vendi ynë kërkon edhe mbështetjen e Greqisë për t’u anëtarësuar në BE. Por pikëpyetja që mbetet në këto negociata është: a mund ta kushtëzojë Athina çështjen e detit, të drejtat e minoriteteve, ligjin e luftës, çështjen çame me veton në tryezën e Brukselit? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos