Pasuritë e zbuluara dhe sekuestruara nga SPAK për personat e akuzuar për çështjen e AKSHI-t për Sali Berishën janë të familjarëve të Edi Ramës.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha: “Sipas hetimit paraprak se s’është përfundimtar, rezulton se Mirlinda apo prestanomi i Lindës së Surrelit, ka apartament në rrugën ‘Dervish Hima’, kati i tetë, ka apartament, ka pasuri në rrugën e Kavajës, 73 m katror, tjetër apartament”.
Këto janë vetëm një pjesë e pasurive të sekuestruara, pasi pjesë e aseteve që janë bllokuar me urdhër të SPAK janë dhe automjete, ndaj Berisha kujtoi një deklaratë të Ramës që shfajësonte ish-drejtoreshën e AKSHI-t nga akuzat.
Sali Berisha shtoi: “Ka autoveturë, po këtë duhet t’ia ka dhuruar Rama, e ka dhuratë nga Rama këtë autoveturë, prandaj s’ka, e quan si, pse ku e di ti që s’ka?”.
Në fjalën e tij, kryetari i opozitës hodhi akuza ndaj qeverisë edhe lidhur me procesin e integrimit. Berisha është i bindur që negociatat me unionin janë bllokuar, ndaj një thirrje kishte për zyrtarët në Bruksel.
Sali Berisha u shpreh: “Shqiptarëve u fshihet fakti se sot me kalendar ishte përcaktuar konferenca ndërqeveritare, e cila nuk u mbajt. Shqiptarët nuk dinë asgjë. Nuk shkon kjo. Pse? Sepse qeveria i fsheh. I fsheh një herë, i fsheh dy herë, i fsheh tre herë, por unë gjykoj se përfaqësia e BE nuk duhet të pajtohet me këtë fshehtësi dhe këtë fshehje. Duhet të informojë. Duhet të dalë jashtë kimisë që ka për këtë apo atë person”.
Sipas Berishës, Bashkimi Evropian ka shtuar kërkesat për Shqipërinë, ndaj kërkoi transparencë për këtë çështje. (A2 Televizion)