
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në eventin Grant 2026 nga Innovation4Albania (I4A), deklaroi se algoritmi në rrjetet sociale ka kaluar në një fazë histerie.
Duke iu drejtuar të rinjve, kreu i qeverisë u tha që të mos lexojnë komentet dhe të bien pre e provokimeve në rrjetet sociale.
“Mos zbrisni te komentet. Komentet janë jopërfaqësuese për çfarë ti bën, për si e bën dhe kush je. Dhe jo vetëm në këtë kohë, që është një kohë shumë e ngarkuar për arsye se algoritmi ka kaluar në një fazë histerie, por në çdo kohë. Dikur unë i përgjigjesha komentuesve intensivisht, i nisur nga ideja që meritojnë respekt dhe vëmendje. Por, e kuptova që ishte e gabuar dhe në vend që minimumi të merrja pas respektin për faktin që impenjohesha për t’i dhënë përgjigje, vetëm rrisja angazhimin dhe sasinë e baltës që më kthehej pas”, tha Rama, shkruan A2.
“Kështu që, qysh atëherë jo vetëm nuk u ktheva më përgjigje, por nuk zbres më në postim për të parë se çfarë thuhet. Nëse nuk e bëni këtë, impakti i bullizimit bëhet problem. Ju nuk jeni të shitur se merrni fonde nga programi i startup-eve. Nuk keni asnjë arsye që të merrni seriozisht asgjë tjetër veç realitetit që ju perceptoni. Realitetet e tjera që krijojnë të tjerët për ju, injorojini”, shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)