Rama dëshmitar në gjyq, Berisha: Shqiptarët presin konfrontimin në sallë, me media

Nga Anesti Barjamemaj
16 Prill 2026, 14:21 | Politikë

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për të pranuar kërkesën e avokatëve të Sali Berishës, për të thirrur dëshmitar Edi Ramën për dosjen Partizani është mirëpritur nga lideri demokrat, i cili nuk është plotësisht i kënaqur, pasi dëshiron që përballja e tyre në sallën e gjyqit të bëhet me praninë me medias.

“Do të jemi ballë përballë aty dhe i thoni të bëhet burrë, të mos kërkojë seancë pa mediat, të kërkojë mediat aty kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të vijnë të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë, çfarë korrupsioni, çfarë aktesh korruptive të mëdha ka kryer ai duke ndryshuar destinacion pa asnjë kërkesë nga pronarët, por vetëm për llogari të xhepit të tij dhe enturazhit të tij”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.

Berisha konfirmoi që do të jetë prezent në sallën e gjyqit, ku shton se edhe qytetarët e presin përballjen mes tij dhe Ramës. “U them bile të afrojmë se populli e pret këtë. Ju siguroj që populli e pret. Shqiptarët e presin me padurim një konfrontim në sallën e gjykatës midis meje dhe kryehajdutit që është bërë tani i famshëm në gjithë botën për vjedhjet që u bën shqiptarëve”, shtoi Berisha.

Por në sallën e gjyqit përballë kreut të Partisë Demokratike do të jetë edhe Taulant Balla, pasi gjykata ka vendosur që edhe kreu i grupit parlamentar socialist të jetë dëshmitar, duke qenë se është edhe kallëzues i çështjes. Për Berishën përballja me Ramën është e mjaftueshme. “Unë përballjen e kam kërkuar dhe e kërkoj me Edi Ramën. Ai është njeriu që ka një aferë të tmerrshme korruptive, ka firmosur ndryshimin e destinacionit pa asnjë kërkesë pronarësh”.

Sali Berisha së bashku me dhëndrin e tij dhe disa biznesmenë janë të pandehur për dosjen Partizani, ku tashmë çështja ka nisur gjykimin në themel. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos