Besart Xhaferri, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se ftesa për Shqipërinë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes “mund të jetë lajm i mirë për Shqipërinë", por shtoi se "ato 300 milionë euro duhet t'i shkojnë investimeve të infrastrukturës shqiptare".
“Po, mund të jetë dhe lajm i mirë për Shqipërinë. Çfarë problemi ka këtu? Puna është pse duhet ta lidhim këtë ne me emrin e një individi. E dini pse e lidhim? Sepse ai individ është në siklet. Ai individ është në siklet pikërisht me marrëdhëniet amerikane dhe kjo është diçka, një karamele që erdhi në këtë moment dhe do ta bëjë një tortë dhe do të kalojë dhe të vaksinohet nga të gjithë skandalet e 18 deklaratave në katër muaj të Ambasadës Amerikane, e cila ka goditur çdo javë për kartelet e drogës, për narkoshtetin, për pastrimin e parave… Mendimi i parë që pata kur lexova statusin e Edi Ramës, mendova se ishte një diçka shumë ekskluzive. Në momentin kur lexova ftesën, pashë që ishte një draft “copy paste” që i është dërguar shumë shteteve dhe patjetër që i dërgohet atij që është në krye të shtetit”, tha Xhaferri.
“Ajo që kam menduar është për ta pritur se çfarë do jetë ky format, kush janë shtetet që do e përbëjnë, kush janë shtetet që janë ftuar dhe patjetër më intereson shumë si deputet i Republikës së Shqipërisë të di dhe kostot financiare që duhet të paguajë vendi jonë, buxheti jonë për të qenë pjesë e këtij bordi. Unë mund të jem dhe kundra të qënit pjesë e këtij bordi nëse vjen me kosto të larta financiare për buxhetin e shtetit. Nëse është 1 miliard euro dhe do jenë 300 milionë euro në vit, ato 300 milionë euro duhet t'i shkojnë investimeve të infrastrukturës shqiptare që mos përmbytemi, mos kemi katastrofa natyrore që nuk ishte katastrofë natyrore”, shtoi deputeti demokrat. (A2 Televizion)