
Le ta bëjmë natën ditë këtë javë, të trokasim në çdo votër, në çdo derë, në çdo zemër në Tiranë dhe kudo. Është ky apeli që ka bërë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në foltoren e zhvilluar para kryeministrisë, duke paralajmëruar protestën kombëtare të 24 janarit. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për vjedhjen e shqiptarëve.
“Edi Rama është një narko-diktator i cili vjedh shqiptarët nga mëngjesi gjer në darkë. Qeveritarët e tij janë shushunja të vërteta që depozitojnë pasuri përrallore nga taksat e qytetarëve dhe pasuritë publike. Është jetike, është vendimtare t’i përmbysim këta kriminelë dhe t’i çojmë përpara ligjit. Shqipëria nuk do ketë kurrë Kushtetutë dhe ligj pa triumfin e opozitës, pa triumfin e qytetarëve, pa kryengritjen paqësore të shqiptarëve. Le ta bëjmë ne natën ditë këtë javë, të trokasim në çdo votër, në çdo derë, në çdo zemër në Tiranë dhe kudo. Sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të shndërrohen në tmerrin e regjimit, në triumfin e lirisë, në triumfin e qytetarëve. Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria!”, u shpreh Berisha.
Ai solli në vëmendje edhe një dokument që sipas tij është miratuar këtë javë në Kongresin Amerikan, i cili sipas Berishës denoncon qeverisjen e Ramës dhe AKSHI-n.
“Këtë javë, në tempullin e demokracisë, komisionin e jashtëm të kongresit të SHBA, u miratua një dokument themelor, në të cilin pasqyrohen të gjithë ato për të cilat ju protestuat, dhe për të cilat do të protestoni me 24 janar. Në këtë dokument nxin për faqen e zezë të tij Edi Rama dhe Lubi Balluku, që po bllokon ligjin dhe shtetin ligjor. Protesta dhe vetëm protesta është rruga e mbrojtjes së tyre. Por dokumenti, historik do ta quaja unë dhe është i tillë, e quan eksplozive, shpërthyese, AKSHI-n e Edi Ramës dhe të Lindave të tij. Dokumenti i miqve tanë shkruan se ajo çka flitet për AKSHI-n, dhe çka del, është kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për SHBA, edhe për NATO-n. Ky dokument denoncon me forcën më të madhe arrestimet politike të këtij regjimi dhe kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit dhe të Brukselit kundër kësaj situate. Ky dokument frymëzohet nga guximi juaj për të mbrojtur të vërtetat e këtij vendi”.
(A2 Televizion)