“Rama drejt Korçës nga ajri”, Kryeministri: Po shoqëroj një grup investitorësh prestigjiozë, helikopteri ushtarak do bëjë orët e fluturimit, me ose pa ne

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2026, 11:59 | Politikë

“Rama drejt Korçës nga ajri”, Kryeministri: Po

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmeve se ka zgjedhur të udhëtojë për në Korçë përmes helikopterit, për shkak të bllokimit të rrugëve.

“Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!”, shkruan Rama në një postim në X.

“Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune të mirë!”.

Sa i përket rrëshqitjeve të dheut, Kryeministri thotë se edhe në Itali ka pasur fatkeqësi të ngjashme natyrore, por askush nuk ia faturon qeverisë.

“Rama drejt Korçës nga ajri”, Kryeministri: Po

“Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!

Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend - parti politike jo e jo - që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë. Ndërsa për fluturimin tim mbi aksin e bllokuar, kam edhe këto dy fjalë:

E para, i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfilluar rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike!

E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri.

Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten”, shkruan ai.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi të hënën se qarkullimi do të vazhdojë të jetë i bllokuar në segmentin rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec. “Ky segment, i cili pritej të hapej mesditën e sotme, ka pësuar  rrëshqitje masive toke, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm. Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.

Aktualisht po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje. Ndërkohë specialistët në terren po shohim mundësinë e lëvizjes vetëm për mjete e vogla dhe të emergjencave në një rrugë në zonën përreth”, thotë ARRSH.

Autoriteti sugjeron përdorimin e akseve alternative si më poshtë: Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qaf Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë për makinat dhe Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit për mjetet e tonazhit të rëndë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos