Eksperti i sigurisë, Faik Basha, tha se me fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së Bordit të Paqes, Kryeministri Edi Rama arriti të tërhiqte vëmendjen e Presidentit amerikan, Donald Trump, për çështjen e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“E rëndësishme është që u tha në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, sepse kemi arritur në fazën finale ku ka mbaruar punë edhe mbrojtja edhe prokuroria dhe tani do të kemi fjalën e gjyqtarëve”, tha Basha i ftuar në “Terminal” nga Aurora Sulçe në A2 CNN.
“Sigurisht që zoti Rama përmendi të gjitha elementët e nevojshëm për të tërhequr vëmendjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kjo u pa kur përfundoi bordi, e kishte tërhequr vëmendjen dhe u pa që Presidenti Trump, Presidentja e Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë ishin në një takim të përbashkët ku mendoj që kanë dhënë detaje më të zgjeruara në lidhje me këtë proces”.
Basha shtoi se politika duhet të ndërhyjë në këtë proces, pasi aty nuk po jepet drejtësi. “Aty po përbaltet një luftë e cila është bërë me mund, me gjak dhe me sakrifikimin e shumë djemve të rinj vajzave të reja, fëmijëve, pleqve dhe plakave”, u shpreh Basha.
Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me nga 45 vite burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimi. Vendimi i Gjykatës Speciale është parashikuar të merret në muajin mars. (A2 Televizion)