Gazetari Neritan Sejamini, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, shprehu bindjen e tij se protestat e opozitës japin “zero rezultat”.
“Opozita nuk mund të thotë që nuk bën dot asgjë derisa të ketë zgjedhje të ndershme. Nuk ka pikë dyshimi që të gjitha zgjedhjet në të cilat do marri pjesë opozita derisa të vijë në pushtet do jenë pak a shumë të pandershme, do jenë pak a shumë të manipuluara nga pushteti dhe detyra e opozitës është si do ta përballojë këtë vështirësi? Si opozita do ta kapërcejë këtë gjë? Dhe këtu ka dy mënyra. Ose do marrësh aq shumë vota sa nuk ka rëndësi se do të marrë e do të vjedhë kundërshtari, ose do zgjosh pakënaqësi sot, pakënaqësi popullore që njerëzit të çohen. Por, unë një gjë e them me siguri të plotë: Protestat që bën opozita e kanë rezultatin zero”, tha Sejamini.
Sipas tij, “opozita ngatërron godinën me pushtetin”.
“Pushteti nuk është godina. Ti hy në Kyeministri po deshe, edhe deri te zyra e kryeministrit. S'domethënë që ke marrë pushtetin. Ti qëlloje me fishekzjarre, qëlloje me çfarë të duash ti. Ai nuk është pushteti. Pushteti nuk është godina. Pushteti janë institucionet dhe ata që e ushtrojnë këtë lloj pushteti. Pra, ti mund të hysh, mund ta godasësh godinën e Kryeministrisë, mund të bësh protestë aty përditë, ndërkohë që zoti Rama është duke ngrënë darkë diku tjetër dhe duke u argëtuar me paratë tona apo duke bërë pazare se kujt do i japi tenderin tjetër të fotovoltaikëve apo portit tjetër të Durrësit. Prandaj, opozita duhet që energjitë e veta t'i kontrollojë, të ketë një plan afatgjatë dhe të kuptojë vështirësitë e detyrës së vet dhe të ngrihet në lartësinë e detyrës së vet”, theksoi Sejamini. (A2 Televizion)