"Rama i dëshpëruar, i ka rënë mburoja e SHBA" Aldo Bumçi: E ndihmonte Soros deri dje, sot është në panik

Nga A2 CNN
20 Janar 2026, 21:14 | Politikë

Zoti Rama është në momentin më të vështirë të karrierës së tij së tij 13 vjeçare. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN,  ish-ministri i Jashtëm Aldo Bumçi, sipas të cilit kjo ka ardhur për shkak të inkriminimit të pakrahasueshëm të qeverisë, që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

“Për shkak të një rrënimi, kalbëzimi që i ka bërë Shqipërisë me skandale, që nuk kanë qenë në asnjë lloj qeverisjeje, as të majtë dhe as të djathtë. Kjo është e pakrahasueshme me asgjë tjetër më parë. Një inkriminimi që i ka bërë këtij vendi”, tha Bumçi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij, kreut të qeverisë shqiptare i ka rënë mburoja e Shteteve të Bashkuara.

“Dhe nga ana tjetër një dëshpërim që mburoja amerikane që ekzistonte deri dje për shkak të administratës së mëparshme dhe lidhjeve të forta, ndikimit që kishte Sorosi mbi të. Kjo mburojë ka rënë, mbyllja e syve për çfarë ndodhte në Shqipëri. Një vend që u kthye në një bazë operacionale për krimin e organizuar që e thotë vetë administrata Biden në raportet e tyre, por s'kishte qëndrime politike”.

Bumçi thekson se Rama është në panik edhe për shkak të qëndrimeve të qarta të SHBA-së për narkotrafikun.

“Tani kemi një vit, pra një vit të administratës së re ku qëndrimet janë të qarta për narkotrafikun, për ndikimin negativ që kanë te shtetit, destabilizimin. Edhe do ndalem një moment te deklarata e ambasadës e bërë katër ditë më parë. Çfarë tregon që ai ka qëndrim tërësisht të ri dhe i zbuluar duke treguar se nuk ka më mbrojtje është në panik dhe kërkon të krijojë lajme që kthehen qesharake por janë edhe të dëmshme, sepse Amerika është një partner i rëndësishëm dhe ti nuk mund ta trajtosh marrëdhënien në këtë mënyrë”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Duke iu referuar ftesës së Trump për Ramën për Bordin e Paqes, Bumçi thekson gjithashtu se rendja e Ramës për ta bërë të veçantë tregon krisjen e marrëdhënieve.

“Është e njëjta ftesë si për zotin Rama ashtu dhe për qeveritë e Vietnamit, Paraguajit, Bjellorusisë nuk ka asnjë ndryshim. Dhe rendja e Ramës për të treguar që këtu ka diçka të veçantë tregon krisjen, prishjen që kanë në marrëdhëniet me Amerikën dhe një ftesë normale do ta kthejnë në mbrojtje. Në vitin e fundit Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar tërësisht qëndrimin për drogën. Shqipëria u mbush me drogë. Nuk u tha asnjë fjalë që nga urimi për pavarësinë, dhe kemi një qëndrim të konsoliduar, transparent. Nuk ka hamendje pse ndodh kjo. Mund ta nis që me zgjedhjet. Nuk pati urim për zgjedhjet. U urua qeveria në Kosovë, në Shqipëri nuk pati një urim të tillë. U urua populli shqiptar. Kjo është shumë domethënëse. Patjetër Shqipëria është vend partner për arsye të shumta, një vend shumë i afërt, ka dy shtete shqiptare në botë dhe falë ndërhyrjes amerikane, por fakti që nuk ka urim për qeverinë tregon që nuk ka një legjitimitet dhe ata nuk urojnë një qeveri që s'ka legjitimitet demokratik. Më pas ishte mungesa e vizitës në shtator në OKB dhe kjo nuk erdhi pse Rama nuk e vlerëson. Ai është forumi më i lartë ku ti takon të gjithë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos