Demokratët dhe socialistët janë përplasur për më shumë se dy orë në Konferencën e Kryetarëve për çështjen Balluku dhe Komisionin e Reformës Territoriale.
Opozita akuzoi kryetarin e Parlamentit që me urdhër të Kryeministrit Rama po mbron zv/kryeministren duke mos marrë një vendim për kërkesën e SPAK për arrestimin e saj. Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, u shpreh: “Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin”.
Vetë Peleshi mendon që nuk ka shkelur asnjë ligj, pasi, sipas tij, shtyrjen e Këshillit të Mandateve e ka bërë me kërkesën e deputetëve të mazhorancës. Një standard që kryeparlamentari nuk e ka implementuar kur kërkesat i kanë ardhur nga demokratët për mbledhjen e Këshillit.
“Deputetët e mazhorancës kanë kërkuar që në procesin e shqyrtimit të kërkesës të merret edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Unë si kryetar i Këshillit jam i detyruar të mos injoroj asnjë qëndrim dhe kërkesë për sa kohë që nuk shkel Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren. Ju kujtoj që jemi brenda afatit 3-mujor që përcakton rregullorja për marrjen e vendimit për pranimin apo rrëzimin e kërkesës”, tha Pelshi.
Ndërsa palët nuk arritën në një pikë të përbashkët për mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut, në Konferencën e Kryetarëve iu dha një mundësi dialogut për komisionin e Reformës Territoriale. Pasi socialistët depozituan në Kuvend ndryshimin e formulës së komisionit duke marrë shumicën me 9 anëtarë, demokratët u tërhoqën duke thënë që mungesa e tyre tek Territorialja nuk ishte bojkot, por një mungesë me arsye.
Gazment Bardhi, Kryetar i grupit PD, tha: “Për çfarë ju duhet opozita në tryezë? Për të shitur ju fasadën sikur çdo gjë funksionon normalisht. Ju nuk keni qëllim qytetarët, por hartën elektorale. Ne nuk kemi bojkotuar mbledhje. Në dy datat që ishin përcaktuar për zhvillimin e saj, anëtarët tanë nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera të mëparshme. Kjo nuk përbën bojkot, por mungesë fizike për arsye objektive dhe të justifikuara”.
Për këtë arsye, mazhoranca bëri një hap pas, duke i dhënë opozitës edhe një mundësi tjetër, praninë e tyre ditën e hënë në mbledhjen e komisionit.
Taulant Balla, kryetar i grupit PS, u shpreh: “Mbledhja e radhës së Komisionit të thirret ditën e hënë. Nëse opozita bojkoton edhe mbledhjen e ditës së hënë, atëherë në seancë do vendosim mekanizmin zhbllokues. Reforma do të bëhet, doni apo nuk doni ju”.
Demokrati Luçiano Boçi kërkoi më shumë kohë, por në konferencë nuk u mor një vendim për këtë kërkesë.
Seanca e ardhshme plenare nuk do të mbahet të enjten siç ishte parashikuar, por më 3 shkurt pë shkak se kryetari i Kvendit dhe një delegacion i gjerë deputetësh të të dy krahëve do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (A2 Televizion)