Politologu Afrim Krasniqi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se Reforma Territoriale ka shumë interesa, “jo vetëm politike, por edhe të deputetëve në zona të caktuara”.
“Reforma Territoriale ka shumë interesa. Ka interesa jo vetëm politike, por edhe të deputetëve në zona të caktuara, që e tejkalojnë edhe partinë. Ka interesa edhe të grupeve të mëdha të biznesit, ka interesa lokale të bashkive, ka interesa të kompanive të mëdha në Shqipëri, ka interesa të shteteve të tjera… dhe këto interesa kërkojnë një proces të detyrueshëm gjithëpërfshirës. Te Reforma Territoriale duhet të ketë një debat publik. Çdo bashki dhe çdo qytetar duhet të dijë se ku do të jenë shërbimet e tyre, çdo investitor duhet të dijë se cila do jetë ndarja territoriale e Shqipërisë për dy dekadat e ardhshme. Ky nuk është një proces që ndodh në Komision, duhet krijuar një sistem pune e tillë që të mundësojë që të gjitha grupet në shoqëri të jenë pjesëmarrëse dhe të ketë një mekanizëm që përfshin edhe aktorë ndërkombëtarë. Deri tani, kjo strategji na ka munguar”, tha Krasniqi.
Në lidhje me Parlamentin, Krasniqi u shpreh: “Jam i shqetësuar për atë që po ndodh aty. Parlamenti është në një situatë si në 1997, ku një parti ka numra të panevojshëm në Parlament, mund të votojë gjithçka. Parlamenti ynë nuk po vepron thjesht si noter i qeverisë, por po vepron si një strukturë që ka hequr dorë nga roli i tij dhe ky është shqetësimi më i madh. Çfarë kuptimi ka që gjysma e seancave mbarojnë pas mesnatës, kur askush nuk ka interes për t’i ndjekur. Ne demokraci, qytetarëve duhet t’u ofrosh një mekanizëm me të cilin të monitorohesh dhe të jesh i kontrolluar. Parlamenti e ka për detyrë këtë dhe ne kërkojmë vetëm që të bëjnë transparencë për vendimet”.
(A2 Televizion)