“Rama kontrollon çdo qelizë të SPAK” Berisha: Nuk kemi kapur protestën, asnjë ndërhyrje në punët e saj

Nga Anesti Barjamemaj
6 Korrik 2026, 15:20 | Politikë

Respektoi detyrimin për t’u paraqitur para prokurorëve të SPAK dhe më pas u paraqit para gazetarëve për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Me vëmendjen politike të fokusuar te protesta, Sali Berisha refuzoi pretendimet se ajo është kapur nga demokratët.

“Bashkoj zërin tim me atë të protestës për urimin që i bënë”.

Zoti Berisha, meqë jemi te protesta, e keni kapur ju protestën?

“Absolutisht kurrë! Kurrë! Dhe ua them unë këtu. Qëndrimi ynë ka qenë që në fillim dhe ju duhet të keni shumë të qarta ato që deklaroj unë, kurrë nuk ndryshoj unë nga ato. Asnjë ndërhyrje në punët e saj. Nuk është protesta jonë, dhe e drejta dhe morali duhet të ishin të pamëshirshme ndaj atyre që përpiqen t’ia kapin apo manipulojnë atë protestë të rinjve shqiptarë”, u përgjigj Berisha.

Nuk kurseu sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme, pa pranuar idenë e të bërit dallime mes grupimeve të ndryshme brenda institucionit.

“SPAK-un real dhe SPAK-un paralele drejton vetëm një njeri, kreu i meduzës Edvin Kristaq Rama. Si mund t’i fshehësh publikut emrat e qeveritarëve që shkuan dhe u takuan me trafikantët e drogës për të bërë marrëveshje për investimet e parave të tyre? Kjo nuk ndodh në botë kund, përveçse në Shqipërinë e Edi Ramës që kontrollon këtë institucionnë çdo qelizë”.

Kryedemokrati u pyet si e sheh propozimin e socialistit Ulsi Manja për të bashkuar votat me qëllim

ndryshimin e Kushtetutës, duke mundësuar zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK, apo për të lejuar rikandidimin e tyre.

“Ulsiu i ka të paktën 8 vite deri në 12 vite burg. Prandaj dhe ai është i gatshëm të bëjë çdo kompromis, vetëm t’i shpëtojë kësaj dosje që nuk i shpëton kurrë. Përveç kësaj, ky paska familjarë sipas të dhënave të mediave, nuk mund të them me dokumente, por të implikuar në afera të ndryshme korruptive. Pra, Ulsiu është një skllav i dosjeve të tij”.

Për dosjen “Partizani”, përshëndeti dëshmitë e ish-ministrave të tij të thirrur në proces.

“Kam pasur një program elektoral, në të cilin u kam premtuar shqiptarëve privatizim, privatizim, privatizim. Dhe ajo ka qenë mbajtje e fjalës. Nuk ndaja fjalën nga vepra. Kisha premtuar privatizimin e objekteve të privatizueshme dhe kam proceduar me shpejtësinë më të madhe. Pra, privatizimi është një parim themelor i asaj partie, i atij spektri politik që unë i përkas”.

I bindur se të gjitha procedurat e privatizimeve kanë qenë transparente, Berisha ftoi ish-bashkëpunëtorët e tij të tregojnë çdo gjë në dëshmitë e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos