I ftuar në emisionin ‘’Off the Record’’ nga Andrea Danglli, kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi kritikoi ashpër qeverinë për mënyrën se si po trajton procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar situatën si dështim të shtetit.
“Ne s’kemi shtet. Ato çekët, hungarezët, polakët e kishin shtetin me ligje, me sistem drejtësie, këtu duhet rindërtuar shteti shqiptar,” u shpreh Shehi. Ai shtoi se Europa për Shqipërinë nuk është vetëm çështje ekonomike, por një mundësi për të rindërtuar institucionet.
Shehi akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama: “I erdhi në dorë shteti dhe e ka bërë më rrumpallë se ai që shan”. Sipas tij, mungesa e kontrollit ka lejuar korrupsionin dhe abuzimin me fondet publike.
Ai theksoi se nëse Shqipëria do të ishte pjesë e BE-së, do të kishte më shumë kontroll dhe rregull. “Po të kishim qenë në Europë, ato policët e Europës nuk do lejonin të vjedhin kaq shumë këto policët tanë,” tha ai.
Në vijim, Shehi e cilësoi procesin e integrimit si një iluzion për qytetarët. “Europa ka ngelur ky mirazhi, si gjithë mirazhet, largohet”, u shpreh ai, duke shtuar se qeveria po merret më shumë me propagandë sesa me reforma reale.
Sipas tij, mungojnë politikat konkrete për qytetarët dhe barazia para ligjit. “Nuk është i barabartë para ligjit… karrierën e bëjnë ata që janë me Edi Ramën,” deklaroi Shehi.
Në përfundim, ai theksoi se pa rregulla dhe funksionim real të shtetit, integrimi në BE mbetet i paarritshëm. (A2 Televizion)