“Jemi bërë si Bjellorusia”, Shehi: Opozita nuk prodhon më njerëz, ja si fitohen zgjedhjet

Nga A2 CNN
6 Prill 2026, 22:17 | Politikë

Kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, ka ngritur shqetësime të forta për gjendjen e demokracisë dhe funksionimin e opozitës në vend. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga gazetari Andrea Danglli në A2CNN, Shehi u shpreh se Shqipëria rrezikon të rrëshqasë në modele të vendeve jo demokratike si Bjelloruesia.

Kam frikë se po mbërrijmë në nivelin e Bjellorusisë, Azerbajxhanit apo Rusisë. Atje nuk ka rotacion real pushteti dhe protestat janë pothuajse të papërfillshme”, tha ai, duke theksuar se kjo lidhet edhe me trashëgiminë postkomuniste të vendit.

Sipas Shehit, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e frymëzimit dhe rinovimit brenda opozitës.

Opozita nuk inspiron më, sepse janë po të njëjtët njerëz. Nuk mund të kërkosh mbështetje duke u rikthyer për herë të tretë apo të katërt me të njëjtin grup dhe të njëjtat ide”, u shpreh ai.

Ai theksoi se për të fituar zgjedhjet, opozita duhet të prodhojë lidership të ri dhe alternativa të reja politike.

Nëse opozita do të sjellë figura të reja dhe teza të reja, jam i bindur që zgjedhjet e ardhshme mund t’i fitojë. Por nëse kjo mbetet një përplasje ‘ndërmarrjesh’, atëherë qeveria ka avantazhin e pushtetit dhe të burimeve”, deklaroi Shehi.

Kreu i LZHK-së u ndal edhe te sistemi politik dhe zgjedhor në vend, duke kujtuar se ai është produkt i marrëveshjeve të mëparshme mes palëve politike.

Marrëveshja e vitit 2008 prodhoi këtë kushtetutë, këtë sistem zgjedhor dhe këtë ndarje administrative. Ky është një sistem që e kanë ndërtuar vetë dhe tani duhet të përballen me pasojat e tij”, përfundoi Shehi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos