Kryeministri Edi Rama sapo ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”. Avioni në të cilin udhëtonte kreu i qeverisë së bashku me delegacionin që e ka shoqëruar gjatë vizitës 6-ditore në SHBA për Asamblenë e OKB, u ul rreth orës 13:00 në aeroportin e Rinasit.
Gazetarja e A2 CNN Fjorela Beleshi raportoi nga Rinasi se mesazhi do të shpërndahet nga regjia e kryeministrisë, ndërsa gazetarët nuk janë lejuar.
“Nuk do të jetë një konferencë me gazetarët. Do të jetë një mesazh i bërë me regjinë e kryeministrisë dhe i shpërndarë për mediat. Gazetarët janë lënë jashtë aeroportit Nënë Tereza. Ne ndodhemi në dalje të zonës VIP. Rama do të futet në ambientet e aeroportit për të regjistruar ose për të dhënë mesazhin e tij”, raportoi gazetarja e A2 CNN për Ditarin e Fundjavës e Denisa Pashollin.
Kujtojmë se mesazhi i kryeministrit vjen pas hetimeve të SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet se i ka dorëzuar informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar për dosjen ‘AKSHI’.
Ndërsa nesër Rama do të jetë i pranishëm edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar që do të mbahet të hënën në orën 08:30 në Pallatin e Brigadave. (A2 Televizion)