“Ka frikë për veten e tij”, Berisha: Rama nuk do të përfill vendimin e GJK

Nga Anesti Barjamemaj
8 Shkurt 2026, 18:52 | Politikë

Komentet e Edi Ramës për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut, Sali Berisha i përkthen si vendimmarrje të kreut të qeverisë për të mos përfillur verdiktin e gjykatës më të lartë në vend. 

“Edi Rama në panik dhe i fantaksur, o zotua para jush në mënyrën më të papërgjegjshme se ai nuk do të përfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mbasi sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë që një ministër të pezullohet nga gjykatat. Ky është një mashtrim i madh sa vetë Edi Rama. Në rajon, në Europë dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra”, tha Berisha.

Për Berishën retorika e Ramës është një kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe shton se kreut të ekzekutivit do t’i komunikohet gjatë kjo gjë vizitës në Bruksel që do të zhvillojë gjatë së hënës, shkruan A2 CNN.
“Ai është thirrur pikërisht për ti komunikuar vendimin që është marrë në rast se ky, pengon sistemin e drejtësisë dhe veprimtarinë e tij. Dhe ky vendim, do të jetë mesa duket vendimi më i paprecedentë që është marrë ndonjëherë në BE, sepse është absolutisht i paprecedentë qëndrimi dhe vendimi i Edi Ramës, për të asgjësuar shtetin ligjor me një grusht shteti, brenda shtetit”.

Kreu i opozitës shfrytëzoi edhe këtë mesazh në mediat sociale për t’u bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 10 Shkurtit. 

“Secili prej jush proteston, shpreh revoltën në kryengritjen paqësore të opozitës, jo vetëm për vete, por për fëmijët e tij, për Shqipërinë, dhe si asnjëherë tjetër, për të ardhmen evropiane të këtij vendi”.

Sipas liderit demokrat tubimi i së martës është edhe për të treguar se opozita zbaton ligjet dhe kushtetutën që janë themeli për integrimin e vendit në BE.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos