Kryeministri Edi Rama, në aktivitetin e zhvilluar në Portin e Durrësit me përfaqësues të bizneseve të transportit, dëgjoi shqetësimet e tyre dhe zgjidhjen e problematikave në port.
“Ndryshimet këtu janë të nevojshme dhe do bëhen, po punohet edhe me Ministrinë për t'ju ndihmuar. Ky është koncesion atipik, më i keqi i mundshmi që e kemi trashëguam, por që do na krijonte kosto të lartë në arbitrazh, por jemi munduar ta mënaxhojmë, ta vëmë në shfrytëzim dhe të lehtësojmë për ju, nga 45 euro ta ulim në 22 euro. Por, në fund të fundit mbetet një koncesion i gabuar tërësisht, sepse skanimi i kamionëve shteti i bën për punën e vet, për sigurinë, krimin, kontrabandën, por jo për ju", tha kryeministri, shkruan A2.
“Paguhet privati për këtë veprimtari, për atë që do menaxhojë shteti dhe kjo situatë do zgjasë deri në 2030. Në e kemi nisur dhe do ta bëjmë, në bashkëpunim edhe me ju, me kontributet tuaja edhe si taksapagues, do operojmë në bazë kontrolli në bazë risku. Për shembull, nga 100 dalje nga porti, do bëhet skanimi për 10 prej tyre, si fillim është e pranueshme dhe më tej do ulet më shumë, me numër më të vogël kontrollesh, të befasishme, mbi bazë risku. Se përtej kostos marramendëse që ka koncesioni edhe për operatorët, ka një rezultat në uljen e kontrabandës. I thashë edhe drejtorit, kjo është një gjë për t’u bërë se s’kemi çfarë flasim, duhet bërë dhe do bëhet. Do firmoset edhe një marrëveshje për këtë, që të keni këtë lloj regjimi. Për shoferët ky është një problem që është edhe në vendet e Europës, jo vetëm këtu, është problem gjithandej”, shtoi Rama.
Kryeministri shtoi edhe se do ngrihet një shkollë profesionale për shoferët, sikurse kërkohet: “Sa i përket shkollës, mund ta ndërtojmë me ministrinë apo autoritetin portual dhe Ministrinë e Ekonomisë, jo si shkollë tipike, por profesionale, ku merren kurse të caktuara, që do i vlejnë shoferëve tuaj që do jenë speciale, për të njohur të gjitha proceset e nevojshme. Na duhet vetëm që të jeni proaktivë, të bëni propozim konkret për strukturën, njerëzit që duhen, çfarë kërkohet nga shteti, që ta marrim e ta shohim me strukturën e arsimit profesional në Ministrinë e Ekonomisë dhe strukturat përkatëse.
Kreu i qeverisë tha se projekti më i madh i qeverisë tani është porti i ri i Durrësit: “Ne do ndërtojmë portin e ri, që do jetë ultramodern, me standarde ndërkombëtare dhe nivele të larta. Në Europë nuk para ka të tillë, ndërtohen kryesisht në vende jashtë saj, është bërë procesi i fazës së parë të selektimit dhe kemi hyrë në të dytën, për të rizgjedhur fituesin. U ribë procesi si pasojë e rregullave strikte dhe tani u dha rezultati, po vijohet me fazën e dytë, shpalljen e fituesit, lidhjen e kontratës dhe fillimin e ndërtimit, ku do jetë niveli më i lartë i teknologjisë, do ketë edhe një kompnent ushtarak që do përdoret nga NATO. Besoj se ditët më të mira janë të gjitha përpara”.
(A2 Televizion)