Pas kthimit nga Strasburgu kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur se informoi Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, për shkeljet e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe lidhjet e shtetit me krimin e organizuar në vend. Sipas tij me arrestimin dhe përndjekjen e liderëve opozitarë nga qeveria e kryeministrit Rama, Shqipëria tejkaloi edhe regjimin autoritar të Bjellorusisë së Lukashenkos.
“Unë informova audiencën e nderuar të parlamentarëve nga e gjithë Europa se Edi Rama arrestoi në vit elektoral, apo vuri në proces penal, tre liderët e partive kryesore opozitare dhe tre të tjerëve u mori mandatet, i mban në arrest shtëpie apo i mban në burg. Një vend të dytë si Shqipëria nuk ka në këto shkelje. Shqipëria tejkalonte Bjellorusinë e Lukashenkos dhe ngjiste diku me një vend si Tunizia apo më keq. Në këto takime bëra historikun e shkurtër të kanabizimit të Shqipërisë, me të cilat u hodhën themelet e narkoshtetit. Hapjen e Shqipërisë ndaj kokainës. Shkrirjen në një sipërmarrje të përbashkët të shtetit me drogën dhe krimin. Vendimmarrjen në të gjitha nivelet të krimit të organizuar në Shqipëri. Këto ishin tezat kryesore që unë paraqita aty të faktuara me dokumente dhe që mund të them se ishin tronditëse për audiencën e nderuar”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi gjithashtu se informoi komitetin antitorturë për trajtimin në burg të kreut të PL-së Ilir Meta. Ai tha se denoncoi kushtet e tmerrshme në burgje dhe torturat që ushtrohen ndaj të burgosurve, duke përfshirë një numër të madh të të rinjve që humbin jetën si pasojë e helmeve nga droga.
“Pata një takim të veçantë në komitetin antitorturë. Ai është një komitet i vetëm i kësaj natyre, me lidhje të fuqishme me institucionet e tjera. E informova për gjendjen dramatike të burgjeve dhe jo vetëm të burgjeve, për torturën që ushtrohet në komisariate, në qeli. Për serialin e vdekjeve të të rinjve shqiptarë si kurrë ndonjëherë me potencialin më të madh të helmuar nga droga. Për gjobën e tmerrshme që paguajnë të burgosurit gjer në 2 mijë euro për të pasur kushtet më minimale. Një vëmendje të veçante kishte këtu tortura publike që ata i bënë ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, Ilir Meta”.
Berisha u shpreh se Shqipëria ka humbur parimin e prezumimit të pafajësisë, “me 67% të të burgosurve që janë të paraburgosur, një shifër alarmante që nuk ekziston në asnjë vend tjetër”.
(A2 Televizion)