Nga Brukseli, ku mori pjesë në samitin për 50-vjetorin e Partive Popullore Evropiane dhe zhvilloi takime me zyrtarë të ndryshëm, Sali Berisha deklaron se qeveria e Edi Ramës është braktisur nga ndërkombëtarët.
“Marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe më shqiptarët të Edi Ramës janë përmbysur për shkak se dosja Balluku është dosja Rama. Dosja AKSHI është dosja familjare e Edi Ramës. Në këtë aspekt, Edi Rama është në rrethin e kuq dhe i pashpresë”, tha Berisha.
Pas takimeve që ka pasur në Bruksel, lideri demokrat pohon se në Shqipëri do të kthehet me lajme të mira për mbështetësit e tij: “Dua të garantoj shqiptarët se gjithnjë e më shumë mbështetja për opozitën shqiptare bëhet më e madhe dhe dënimi dhe masat ndëshkuese për qeverinë vijnë në rritje”.
Edhe pse prej dy ditësh është në Bruksel, sërish Berisha mendjen duket se e ka në Tiranë. Protesta e radhës e opozitës është për pak ditë dhe lideri demokrat kërkon mbështetjen e qytetarëve në këtë manifestim të radhës kundër Ramës.
“Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje shqiptarëve më 22 mars në kryengritjen tonë paqësorë të ngremë zërin fuqishëm, të ushtojë në Shqipëri dhe në Evropë dhe në botë zëri i protestës, zëri i kryengritësve paqësorë shqiptarë”, tha Berisha.
Agjenda e liderit demokrat përveç festës për 50-vjetorin e PPE vijoi edhe me takime me zyratë të ndryshëm në Belgjikë, ku një prej tyre ishte dhe Presidenti i Parlamentit të Rajonit të Brukselit, Bertin Mampaka. (A2 Televizion)