Rama takim me fermerët në Dibër: Do të bëjmë kooperativa sipas modelit të BE-së

Nga A2 CNN
25 Prill 2026, 11:51 | Politikë

Rama takim me fermerët në Dibër: Do të bëjmë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me fermerët në Dibër, ku prezantoi planin e qeverisë për nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi përmes krijimit të kooperativave sipas modelit të Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se qeveria synon të mbështesë krijimin e strukturave të përbashkëta mes fermerëve, të cilat do të funksionojnë si kompani të përbashkëta për prodhim dhe tregtim.

“Është faza e bashkimit që bën fuqinë… jo si kooperativat e dikurshme, por si kooperativat e Bashkimit Evropian. Secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit, ky model, i quajtur Shoqëri e Bashkuar Bujqësore (SHBB), synon të rrisë fuqinë negociuese të fermerëve në treg, duke mundësuar shitjen e produkteve me volum më të madh dhe me standarde të përbashkëta.

Ai sqaroi se në këto struktura do të përfshihen edhe bashkitë si aksionere, por pa përfituar nga fitimet, duke pasur rol mbështetës dhe organizues.

Edi Rama: Së pari njëherë, faleminderit shumë që keni ardhur edhe që interesoheni seriozisht për këtë fazë ku ne tani nuk jemi më të dëshiruar, por jemi të detyruar të hyjmë, që është faza e bashkimit. E bashkimit që bën fuqinë, jo ashtu siç thonë “çyrykët” që vijnë vërdallë për të hedhur baltë mbi çdo gjë, pra jo si kooperativat e dikurshme, por si kooperativat e Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian funksionon me kooperativa, por ndryshe nga kooperativat e komunizmit në kooperativat e Bashkimit Europian secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë. Kaq e thjeshtë është kjo punë.

Duke shitur bashkë krijojnë një volum shumë më të madh, pra kanë një pozitë negociuese shumë më të fortë me blerësin, por nga ana tjetër harmonizojnë të gjithë veprimtarinë prodhuese pasi mbjellin me një farë, pastaj ndajnë kostot e punimit të tokës, ndajnë kostot e përkujdesit për prodhimin dhe pastaj grumbullojnë, ambalazhojnë dhe shesin. Shoqëri të Bashkuara Bujqësore, SHBB. Kështu janë quajtur në ligj për të shmangur atë frikën e madhe që vjen nga trauma e të shkuarës që po na mbledhin tani në kooperativë këta socialistët. Në fakt, ne e kemi nxitur këtë punë prej kohësh e prej kohësh, e prej kohësh.

Aty ku kjo është bërë dhe është bërë përpara se ta nxisnim ne dhe këtu kemi shembullin e gjallë, që është dhe zëvendësministër, një nga pikat ku ka lulëzuar Shqipëria rurale, ku ka lulëzuar Shqipëria bujqësore, atëherë kur treçereku i tokave nëpër Shqipëri nuk punoheshin fare, në jug të vendit, në Xarrë, Konispol, e kështu me radhë.

Një model shembullor ku fermerët, po edhe ata shqiptarë si ne, edhe ata me frikë nga kooperativa, por ama të mençur për të thënë do shesim mandarina, po do i shesim bashkë që kur të vijnë ata grosistët, ne të kemi një volum të madh edhe të kemi forcë. Jo t’i mbledhin copa – copa. Delet që ndahen nga tufa i ha ujku kanë pas thënë të moçmit. Edhe me sa pretendon Ulsiu e kanë pas thënë dibranët.

Tani këtu duhet bashkim dhe për këtë arsye ne kemi vendosur dhe mbështetje për bashkimin, mbështetje financiare, mbështetje institucionale dhe aleancë me shtetin.

Pra, në Dibër SHBB-ja ndërtohet mes fermerëve dhe bashkisë dhe bashkia është aksionere, por nuk është aksionere që t’ju marri juve fitimet. Është aksionere në një kompani dhe emrin ia kishit gjetur se po bënim shaka, qepar i thashë vejani “Dibra United” si Manchester United. E lexova që e kishit gjetur. “Dibra Origin”. Po, “Dibra Origin”. Nuk e kanë vënë origjina e Dibrës. “Dibra Origin” në anglisht për tregun europian. Po, shumë mirë. Në rregull, për tregun europian dhe për të gjithë europianët e bulevardit të Tiranës. Se unë për vete jam katundar, jam nga Surreli.

Po “Origin” e kuptoj. Edhe ti e kupton? Po Dibra Origin, që është një që fillon dhe bëhet një markë dhe pastaj marka fillon njihet dhe për shkak të markës pastaj njerëzit shkojnë dhe thonë: ke “Dibra Origin”? Qershi, mollë dhe me radhë. “Po kam”, – “atë dua”. Në të kundërt nuk e përballojmë dot përplasjen e madhe që do të vijë kur ne të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian. Nuk e përballojmë dot. Kaq e thjeshtë është.

Gjithë ai treg i madh ne do dalim tek e tek edhe do mbijetojmë? Ku do t’i shesim produktet? Me çanta në rrugët e Brukselit? Ku? Pastaj si do realizohet siguria ushqimore? Do shkojnë të gjithë tek e tek të bëjnë analiza nëpër laboratorë, do paguajnë për të bërë analizat? Si do ulen kostot e prodhimit se ankohen me të drejtë për kostot e prodhimit, por kostot prodhimit ulen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos