“Krimi po ushqehet me paratë publike”, Shella: Korrupsioni është bërë sistem

Nga A2 CNN
24 Prill 2026, 22:05 | Politikë

Eksperti i çështjeve të drejtësisë, Gerti Shella, ka ngritur alarmin për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, duke deklaruar se krimi i organizuar po përfiton drejtpërdrejt nga fondet publike.

I ftuar në emisionin “ÇdoKënd” nga gazetarja Merita Haklaj, ai u shpreh kritik ndaj reformave në fushën e dixhitalizimit dhe luftës kundër korrupsionit, duke vënë në dyshim efektivitetin e tyre.

Unë nuk mendoj që gjithë ky avancim i axhendës dixhitale që nga viti 2013, apo edhe më herët me marrëveshjen për ‘Open Government Partnership’, ka sjellë atë që pritej. Transparenca dhe open data nuk kanë sjellë një angazhim më të madh të qytetarit dhe as një kontroll më efektiv ndaj administratës që abuzon,” u shpreh Shella.

Ai theksoi se korrupsioni lidhet drejtpërdrejt me keqpërdorimin e pushtetit publik për përfitime personale.

Kur flasim për korrupsionin, bëhet fjalë për përdorimin e postit publik për përfitim personal. Ky është definicioni bazë. Dhe për korrupsion gjithmonë ka një përgjegjës: ai që ka një funksion publik dhe e shpërdoron atë,” tha ai.

Sipas Shellës, investimet e mëdha në teknologjinë dixhitale nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme.

“Ne nuk po shohim përfitime reale nga këto para të taksapaguesve dhe nga kreditë e marra nga partnerët ndërkombëtarë për axhendën dixhitale. Në këta indikatorë, kjo reformë rezulton e dështuar,” u shpreh eksperti.

Ai solli në vëmendje edhe një rast konkret, duke e cilësuar si alarmant.

“Vetëm para një jave mësuam se një grup i madh kriminal, përveç trafiqeve, ka përfituar 33 milionë euro para publike. Kjo tregon se deri ku ka arritur korrupsioni,” deklaroi ai.

Sipas tij, situata ka hyrë në një fazë të rrezikshme.

“Kur krimi i organizuar ushqehet me para publike, kjo është faza terminale e keqqeverisjes. Do të thotë që korrupsioni nuk është më përjashtim, por është bërë vetë sistemi,” theksoi Shella.

Ai ngriti shqetësimin edhe për integrimin europian, duke theksuar se mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit po krijon pengesa serioze.

Ka një ngërç të madh edhe në afrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian. Nëse korrupsioni nuk luftohet realisht dhe Shqipëria dixhitale nuk funksionon, atëherë si do të përafrohemi me BE-në?” përfundoi ai.

 

 

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos